Greta Thunberg, aktivistja e klimës duket se nuk e ka harruar thumbimin që i kishte bërë 11 muaj më parë presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas mediave të huaja, 17-vjeçarja ka zgjedhur të “hakmerret” ndaj Trump duke përdorur frazën që presidenti amerikan kishte përdorur.
Në vitin 2019, kur Greta Thunberg u emërua personi i Revistës Time, presidenti i SHBA ishte tallur me të.
Donald Trump kishte kritikuar vendimin e Revistës Time për emërimin e aktivistes adoleshente të klimës si personin e vitit dhe kishte shkruar: “Kaq qesharake. Greta duhet të punojë për problemin e saj të menaxhimit të zemërimit, pastaj të shkojë në një film të modës së vjetër me një mik! Qetësohu Greta, qetësohu!”.
Aktivistja e mjedisit, këtë fjalë i përdori si një formë “hakmarrjeje” ndaj Trump, pikërisht kur ai hodhi akuzat për manipulim të zgjedhjeve.
“Kaq qesharak. Donald duhet të punojë për problemin e tij të menaxhimit të zemërimit, pastaj të shkojë në një film të mirë të modës së vjetër me një mik! Qetësohu, Donald, Qetësohu!”, shkroi Greta Thunberg në një postim në Twitter.