Vendosni fjalën kyçe....

Macron i kërkon Europës të forcojë kontrollet kufitare pas sulmeve terroriste


Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se Europa duhet të rimendojë zonën e saj të kufirit të hapur Shengen, duke vendosur një mbrojtje më të fuqishme të kufijve pas sulmeve në Francë dhe Austri.

Macron tha se kontrollet më të rrepta ishin të nevojshme për të frenuar imigracionin klandestin. Ai shtoi se bandat kriminale që trafikonin ilegalisht migrantët në Europë shpesh lidheshin me rrjetet terroriste.

“Unë jam për një rregullim të thellë të Shengenit për të rimenduar organizimin e tij dhe për të forcuar sigurinë tonë të përbashkët kufitare me një forcë të duhur kufitare.”– tha Macron gjatë një vizite në kufirin franko-spanjoll.

Siç shkruan France 24, presidenti tha se do ia paraqiste propozimet e tij partnerëve të Bashkimit Europian në një samit të BE-së në dhjetor.

Europa u godit nga dy sulme në javën e kaluar, një në Francë dhe tjetri në Austri. Më 29 tetor, një tunizian vrau tre njerëz në një kishë në Nisë. Brahim Aouissaoui kishte mbërritur në ishullin italian të Lampedusa-s, i cili shtrihet pranë Afrikës së Veriut, pesë javë më parë. Pasi u transferua në kontinent, Aouissaoui udhëtoi me tren në Francë orë para se të niste sulmin e tij.

Xhihadisti që vrau katër persona në Vjenë të hënën udhëtoi në Sllovakinë fqinje në korrik në një përpjekje për të blerë municione, thanë zyrtarët austriakë.

Macron tha se sulmet e fundit ishin një paralajmërim për Europën se “rreziku terrorist është kudo”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *