Azerbajxhani ka pranuar që ka rrëzuar gabimisht një helikopter ushtarak rus mbi Armeninë, duke vrarë dy anëtarët e ekuipazhit dhe duke plagosur një të tretë.
Në një deklaratë, Azerbajxhani kërkoi falje duke u ofruar të paguante një kompensim, shkruan BBC. Rusia tha se një raketë rrëzoi helikopterin Mi-24 të saj që ishte duke shoqëruar një kolonë të trupave ruse në Armeni, ku Rusia ka një bazë.
Ky incident vjen në mes të luftimeve të ashpra midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin e pretenduar nga të dy shtetet, Nagorno-Karabakh.
Por helikopteri nuk u rrëzua pranë vendit të prplasjeve.
Çfarë dihet për rrëzimin e helikopterit?
Në një deklaratë, ministria e jashtme e Azerbajxhanit tha se helikopteri rus u rrëzua në orën 18:30 “në seksionin Nakhchivan të kufirit shtetëror Armeni-Azerbajxhan”.
Republika Autonome e Nakhchivan është eksklavë perëndimore e Azerbajxhanit pa dalje në det, në kufi me Armeninë, Iranin dhe Turqinë.
Ministria e jashtme e Azerbajxhanit tha se helikopteri kishte fluturuar në një lartësi të ulët gjatë orëve të natës dhe jashtë “zonës së zbulimit të radarëve të mbrojtjes ajrore”.
Po ashtu tha se “helikopterët e Forcave Ajrore Ruse nuk janë parë më parë në zonën e specifikuar”.
Në kontekstin e këtyre dhe faktorëve të tjerë “ekuipazhi luftarak në detyrë mori vendimin për të hapur zjarr”, thuhej në deklaratë.
Nga ana tjetër, ministria ruse e Mbrojtjes tha se helikopteri i saj u rrëzua nga një raketë ndërsa po shoqëronte një kolonë automjetesh që i përkisnin bazës së 102-të ushtarake ruse.
Thoshte se kjo ndodhi afër qytetit të Yeraskh. Helikopteri humbi kontrollin dhe u rrëzua në një zonë malore në territorin armen.
Ministria e Jashtme e Rusisë më vonë shkroi në Twitter: “Ne e konsiderojmë pozitiv faktin që Baku e pranoi që ishte fajtori pa vonesë.”
Po ashtu tha se Azerbajxhani ishte zotuar të kryente një hetim të shpejtë mbi incidentin dhe personat përgjegjës do të ndëshkoheshin.