Është zbardhur urdhri për zbatimin e masave shtrënguese që hyjnë në fuqi ditën e nesërme në mbarë vendin lidhur me pandeminë Covid-19.
Nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit do ndalohet lëvizja e personave në mbarë vendin përjashtuar ata që lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme.
Në urdhëresën e Ministrisë së Shëndetësisë parashikohen edhe ndëshkimet për shkelësit e rregullores, ku përfshihen edhe pronarët e lokaleve, palestrave etj.
Njoftimi
Në mbështetje të nenit 7 pika 4 gërmat d të ligjit nr. 15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve infektive” sipas udhëzimit të Institutit të Shëndetit Publik në zbatimin e Vendimit të Komitetit të Përkohshëm për Infeksionin e përhapur nga Coronavirusi i ri nr. 5005 datë 09/11/2020, me qëllim mbrojtjen e shënetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga koronavirusi COVID-19.
Urdhëroj:
- Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 22:00 deri në orën 06:00, në të gjithë vendin, deri në datën 02.12.2020.
- Përjashtim nga rregulli i përcaktuar në pikën 1 të këtij urdhëri bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-Albania.
- Personeli i shëndetësisë, punonjësit e strutkurave të shërbimeve kritike, përjashtohen nga rregulli i aplikimit në portalin e-Albania, duke patur dokumentacionin që vërteton punësimin pranë institucioneve.
- Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhëri organet kompetente për dhënien e masave administrative sipas Aktit Normativ nr. 3 datë 15.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së shkaktuar nga COVID-19” i ndryshuar.
- Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë që dhe fillon efektet në datë 11/11/2020.
Ky akt normativ nuk parashikon gjoba për këmbësorët por parashikon gjoba për restorantet dhe baret.
Në pikën nr. 7 të këtij Akti Normativ parashikohet:
- Subjektet apo individët, të cilët nuk zbatojnë urdhrat e dhëna nga organet kompetente për mosmbylljen e bareve, lokaleve, restoranteve dhe klubeve, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast pësëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e aktivitetit për një periudhë 6-mujore.
Ndërsa në pikën 8 parashikohen
- Subjektet dhe individët, publikë apo privatë, të cilët, në kundërshtim me urdhrat e autoriteteve kompetente, lejojnë zhvillimin e aktiviteteve sportive, sociale, kulturore, ekskursionet mësimore të organizuara nga institucionet arsimore, publike dhe private, brenda dhe jashtë vendit, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast pësëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e aktivitetit për një periudhë 6-mujore.