Katër personave në Berat, të dënuar më herët u ka shkuar formulari i vetëdeklarimit të burimit të pasurisë.
Ata janë dënuar më herët për trafik droge e shfrytëzim prostitucioni. Sipas policisë dyshohet se ata e kanë vënë pasurinë në mënyrë të paligjshme.
Bëhet fjalë për shtetasit Blerim Vrapi, Agron Bardhoshi, Rexhep Spata e Lorenc Hoxha (Kanani).
Njoftimi
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
B.V., banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
A.B., banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzimi i Prostitucionit”;
R.S., banues në Berat, i dënuar në Finlandë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
L.H.(K.), banues në Berat, i dënuar në Zvicër për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.