Ndërkohë që kryeministri Edi Rama publikon pamje nga spitalet me shtretër bosh, kryedemokrati Lulzim Basha e sulmon atë për menaxhimin e Pandemisë.
Edhe Basha ka publikuar sot një video, ku vë përballë kryeministrin Edi Rama, me rrëfimet e qytetarëve të cilët ankohen se nuk janë rimbursuar për ilaçet as në këtë kohë krize. Kryedemokrati thotë se kjo nuk është një çështje politike, por çështje jete a vdekje, ndërsa bën thirrje për më shumë testime.
Basha thotë se nëse opozita fiton në zgjedhjet e 25 prillit, do të mundësojë rimbursim të shpenzimeve për pacientët me Covid.
“Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë. Më shumë teste, më shumë ndihmë, më shumë zgjidhje. Plani ynë ofron zgjidhje dhe përfshin rimbursimin e plotë të shpenzimeve për personat e prekur me Covid që kurohen në shtëpi. Kjo nuk është çështje politike, është çështje për jetë a vdekje!”- shkruan Basha.