Ndërkohë që shkencëtarët në të gjithë botën vijojnë kërkimet për kura kundër Covid-19, Qendra Vector e Siberisë ka zbuluar veti antivirale tek një lloj kërpudhe.
Siç shkruan RT, studiuesit e kësaj qendre kërkimore kanë zbuluar se kërpudhat e quajtura Chaga, janë të afta të luftojnë koronavirusin.
Në studimin e publikuar në revistën shkencore SCIENCE First Hand, sugjerohet se pirja e ekstrakteve të kërpudhave gjatë gjithë ditës mund të luftojë infeksionin.
“Për shkak të efektit të theksuar mbrojtës dhe toksicitetit të ulët të kërpudhave Chaga, ne mund të flasim për krijimin e barnave antivirale duke përdorur kërpudhat si bazë.“-, thonë shkencëtarët.
Profesoreshë Tamara Teplyakova, nga laboratori Vector, zbuloi se ajo e kishte testuar efektivitetin e kërpudhave tek vetja, familja e saj dhe kolegët që ishin sëmurë me Covid-19. Pas pesë deri në shtatë ditë, simptomat e sëmundjes ishin zhdukur.
Teplyakova shpjegoi se hapi tjetër i studiuesve ishte të provonin kërpudhat tek minjtë.
Kërpudha Chaga e cila gjendet më së shumti në Europën Veriore, njihet gjithashtu si Inonotus obliquus. Në fakt, fjala angleze ‘Chaga’ vjen nga emri rus për kërpudhat.