Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet detyra e rëndësishme e Panaritit për të cilën la LSI-në


Presidenti i vendit Ilir Meta e ka emëruar Edmond Panaritin si drejtor Kabineti. Duket se kjo është detyra e rëndësishme për të cilën ish-ministri i Bujqësisë tha sot se do të largohej pas 16 vitesh nga Lëvizja socialiste për Integrim.

“Që nga dita e sotme kam vendosur të ndërpres angazhimin tim si pjesë e strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për shkak të një ftese për tu angazhuar në një detyrë të rëndësishme.”– shkruante sot paradite Panariti në një postim në Facebook.

Pak orë më vonë, Presidenca njoftoi për disa emërime të rëndësishme në këtë institucion.

Sipas Presidencës, Bahri Shaqiri ka hequr dorë nga detyra si Këshilltar për Çështjet e Sigurisë Kombëtare dhe në vend të tij është emëruar Spiro Koçi. Këshilltar Diplomatik u emërua Arben Cici, ndërsa Edmond Panaritit iu dha detyra e Drejtorit të Kabinetit.

Njoftim nga Presidenca

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka pranuar sot dorëheqjen e z.Bahri Shaqiri nga detyra e Këshilltarit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, për shkak të angazhimeve të tij në të ardhmen, që nuk përputhen me këtë detyrë tepër të rëndësishme.

Presidenti Meta, ka emëruar Këshilltar për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, z.Spiro Koçi, i cili deri sot ka ushtruar detyrën e Këshilltarit Diplomatik të Kreut të Shtetit.

Presidenti Meta ka emëruar Këshilltar Diplomatik, z.Arben Cici, i cili ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Kabinetit.

Për shkak të forcimit të prioriteteve të reja të Institucionit të Presidentit të Republikës, me qëllim përballimin me sukses të sfidave, që parashtron koha, në funksion të interesit më të mirë qytetar dhe kombëtar, siç janë:

– Sfidat e pandemisë COVID-19 dhe shëndetit publik,

– Sfidat me të cilat përballet faktori shqiptar;

– Shpopullimi i vendit,

– Sfidat në Arsim,

– Sfidat në Mjedis,

Kreu i Shtetit, ka emëruar sot në detyrën tepër të rëndësishme të Drejtorit të Kabinetit, Prof.Dr. Edmond Panariti./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *