Vendosni fjalën kyçe....

Majko komenton deklaratat e Vuçiçit: Serbia s’po armatoset për gjueti rosash


Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, tha sot se armatosja e Serbisë nuk është për gjueti rosash dhe se pasqyron politiken e ndjekur nga Beogradi për të pasur fqinj me status gjysmë shtetëror.

Majko e bëri deklaratën në Euronews.al ku theksoi se deklarata e djeshme e Vuçiç nuk duhet parë si kërcënim por si një fakt që politika serbe po prodhon për rajonin.

“Mendoj që nuk duhet parë si provokim apo retorikë, por një fakt që politika serbe po prodhon për rajonin. Aktualisht nuk mendoj se jemi duke parë ndonjë surprizë, por vazhdimësinë e një lloj papërgjegjshmërie, e cila u deklarua më së fundmi. Është protokoll i vërtetë i marrëdhënies shqiptaro-serbe, një konflikt i ngrirë.” – tha Majko.

Ministri shtoi se Serbia po ndjek një politikë për fqinj me status gjysmështetëror siç ka ndodhur me Bosnjën e Malin e Zi dhe tani kërkon të bëjë të njëjtën gjë me Kosovën.

“Besoj që cilido e ka parë që Serbia është një nga shtetet që po armatoset në mënyrën më të vrullshme në krahasim me vendet e rajonit. Nuk besoj se ky armatim është për gjueti rosash. Është një politikë që më në fund i përgjigjet  kësaj që më fund u deklarua si protokoll i konfliktit të ngrirë. Mendoj që teknologjia serbe për të krijuar fqinj me status gjysmë shtetëror duke filluar nga Bosnja tek Mali i Zi dhe tani mesa duket do të kapë edhe Kosovën.” – shtoi Majko.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *