Presidenti Meta ka sqaruar sot arsyet e kthimit të Ligjit për Metrologjinë.
Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, kreu i shtetit theksoi se shërbimi i metrologjisë duhet të garantohet nga shteti dhe s’mund të jepet me koncesion.
Meta theksoi se ligji në fjalë i dërguar për hetim në SPAK, cënon rëndë Kushtetutën e vendit, shkelet tregu i lirë dhe konkurrues.
“Ata e kanë dhënë me koncension Metrologjinë nga shteti në privat. Ligj me përmbajtje të rëndë antikushtetueshmërie, shkelet tregu i lirë dhe konkurrues. Skemë klienteliste, dhënia nga shteti te privati pa negociuar asnjë kusht kur vjen puna tek mbrojta e konsumatorit. Shteti heq dorë nga ky shërbim publik. Kjo është forma më e rëndë e shpërdorimit, e kam quajtur korrupsion legjislativ.” – tha Meta.
Kreu i shtetit vijoi argumentin duke vërejtur se ligji i kthyer për Metrologjinë tregon sesi qeveria dhe parlamenti janë vënë në mbrojtje të oligarkëve të paracaktuar.
Ai theksoi se qytetarët do të duhet të paguajnë më shumë për sasi që nuk i marrin në të vërtetë.
“Ky është një tregues se si ligjvënësi është vënë në mbrojtje të oligarkëve të paracaktuar. Ky shërbim nuk kontrollohet dot as me vendim gjykate. Instrumenti matës nuk mund të jetë me i sigurt. Qytetarët do të detyrohen të paguajnë më shumë për sasi që nuk i marrin realisht. Jam i shokuar se si Kuvendi i Shqipërisë, në këtë situatë me Covid që rëndohet, gjen kohën të çojë në duart e oligarkëve këto shërbime që rëndojnë te qytetarët. Korrupsioni nuk kryhet më nën dorë, por hapur, ditën për diell.” – tha Meta.