Vendosni fjalën kyçe....

Projekti 80 mln euro për krijimin e hartës dixhitale të Shqipërisë, si do realizohet për 5 vitet e ardhshme


Rreth 80 mln euro llogaritet kostoja për realizimin e hartës dixhitale të Shqipërisë, nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), institucion në varësi të kryeministrisë, për një afat kohor 5 deri në 8 vjet.

Për koston e projektit qeveria shqiptare pritet të financojë 10-15% të tij, kurse pjesa tjetër do të financohet nga donatorët dhe nga fondet e IPA-s.

Për realizimin e këtij projekti qeveria ka hedhur për konsultim publik ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin për infrastrukturën kombëtare të informacionit”.

Një ndër aktivitetet kryesore që parashikohet të shtohen me këtë ligj është dhe veprimtaria e krijimit të hartës baze në shkallë të mëdha dhe azhurnimit të vazhdueshëm të saj, sipas standardeve të Këshillit të Europës.

Aktualisht Shqipërisë i mungon harta bazë në shkallë të madhe e përditësuar e cila është jetike për një numër autoritetesh për realizimin e funksioneve të tyre publike. Në projektligj thuhet se ASIG e ka filluar këtë proces dhe ka kryer disa aktivitete kryesore për prodhimin hartografik, për disa zona të mëdha urbane dhe rurale.

Aktivitetin kryesor të Autoritetit Shtetëror për krijimin e hartave bazë, e zë projekti për krijimin e hartës bazë dixhitale për 300 km2 (zona Tiranë – Durrës) në bashkëpunim me qeverinë Japoneze (JICA).

Gjithashtu ASIG ka menaxhuar dhe fotografimet ajrore të kryera në vitet 2015-2017 dhe 2018 për prodhimin e orotofotove. Këto produkte kanë qenë material bazë për përpunimin e mëtejshëm dhe prodhimin të hartave dixhitale në shkallë të ndryshme, por veçanërisht në shkallën 1:2000.

Mbi bazën e kësaj eksperience, tashmë ASIG ka aplikuar pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për fillimin e projektit kombëtar të krijimit të hartës bazë dixhitale multifinksionale sipas standardeve të Direktivës INSPIRE në funksion të ndërtimit të Infrastrukturës kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI).

Realizimi i projektit do të shtrihet në dy etapa. Në fazën e parë parashikohet krijimi i hartës dixhitale, me sipërfaqe 800 km2 me për të gjitha zonat urbane të qyteteve të Shqipërisë, me një çmim për njësi rreth 8,100 euro/km2, pra në total 6,4 mln euro. Nga këto 300 km2, aktualisht janë kryer me donacione (projekti me JICA).

Në fazën e dytë parashikohet krijimi i hartës bazë dixhitale për rreth 16,000 km2, që do të jetë kryesisht zona e ultësirës perëndimore, luginat dhe zonat e fushës, e cila parashikohet të ketë një kosto për njësi rreth 4,700 euro/km2 dhe në total parashikohet të ketë një kosto 75 mln euro.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *