Kryeministri Edi Rama foli pas takimit me një përfaqësi të naftëtarëve mbledhje nga e cila u arrit marrëveshja që kjo kategori e mbetur e papunë nga mbyllja e rafinerisë të trajtohen me pagë për një vit resht.
Rama tha se naftëtarët do marrin 40 mijë lekë për një vit dhe sigurimet e plota shëndetësore dhe shoqërore të paguara.
“Privilegji për të shërbyer, ndjej kënaqësi që çka ne kemi vënë në dispozicion për 870 naftëtarë dhe punonjës e punonjëse të rafinerisë është pritur me shumë pozitivitet nga ana e tyre.
Në këtë kohë kaq të vështirë kur duhet të kalkulojmë çdo ditë si asnjëherë më parë në eksperiencën time në detyrë për të qenë largpamës pasi jemi në kushtet e paparashikueshmërisë, nuk është e lehtë. Jemi të bindur që kemi bërë gjënë e duhur, duke vendosur një pagë 55 mijë lekë bruto, dhe 40 mijë lekë neto për 12 muaj.
Në mënyrë që këta njerëz të kenë sigurime të plota shëndetësore e shoqërore, dhe të kenë garancinë e një page mjaft të arsyeshme duke marrë parasysh edhe situatën e vështirë që kanë kaluar”-tha Rama.
Ndërsa për vënien në punë të rafinerisë, Rama tha se janë në kontakt me 3 kompani të mëdha dhe siguroi se uzina do ndizet.
“Jemi në kontakt me 3 kompani dhe janë kompani të mëdha, të rëndësishme por koha që jetojmë është problem. E kemi hasur në problemet tona. Ajo që mund të them është se rafineria po, do rindizet”- tha Rama.