Vendosni fjalën kyçe....

VOA: Sistemet zgjedhore në SHBA nuk kanë fshirë, humbur apo ndryshuar votat


Zyrtarët amerikanë të sigurisë së sistemit zgjedhor nuk kanë të dhëna që fletë-votime të jenë zhdukur, ose të kenë humbur në sistem, gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit, u shprehën të enjten dy grupe të sigurisë, përmes një deklarate të lëshuar nga agjencia amerikane për sigurinë kibernetike.

“Nuk ka të dhëna që ndonjë prej sistemeve zgjedhore të ketë fshirë, të ketë humbur vota, t’i ketë ndryshuar ato, apo që vetë sistemi të jetë kompromentuar”, u shprehën dy grupet për zgjedhjet e 3 nëntorit, që nxorrën si fitues kandidatin demokrat Joe Biden, raporton Zeri Amerikës.

Presidenti republikan Donald Trump vazhdimisht ka ngritur pretendime të pambështetura në fakte për manipulime në zgjedhje dhe nuk po e pranon humbjen.

Dy grupet në fjalë, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Koordinues Qeveritar (GCC) dhe Këshilli Koordinues i Sektorit të Infrastrukturës Zgjedhore (SCC) thonë se zgjedhjet ishin më të sigurtat në histori.

 

 

“Ndërsa e dimë se ka shumë pretendime të pabazuara dhe mundësira për të përhapur informacion të gabuar rreth procesit të zgjedhjeve tona, ne ju sigurojmë se kemi besimin më të lartë në sigurinë dhe integritetin e zgjedhjeve tona dhe ju duhet të keni të njejtin besim”, thonë dy grupet në një deklaratë të lëshuar nga Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (CISA).

Kjo agjenci (CISA) e drejtuar nga eksperti i kibernetikës Christopher Krebs, administron një faqe interneti që përgënjeshtron disinformatat rreth zgjedhjeve.

Dy grupet e sigurisë thonë se gjithë shtetet me rezultate të ngushta kanë gjithë fletë-votimet në letër, të cilat mund të numërohen me dorë në se lind nevoja.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *