Pas takimit që pati me përfaqësues të shoqatave për personat me aftësi ndryshe, kryedemokrati Lulzim Basha thotë se se Pandemia e ka goditur dyfish këtë komunitet.
Basha thotë se këta qytetarë kanë më shumë nevojë për mbështetjen e shtetit.
“Personat me aftësi të kufizuara, të lodhur dhe të rrezikuar nga pandemia, të gënjyer, të fyer dhe të harruar, në ditën më të vështirë për çdo shqiptar, vuajnë më shumë se kushdo. Ata kanë më shumë nevojë për mbështetjen e shtetit. Fatkeqësisht, janë ata që marrin goditjen më të rëndë nga dështimi i Ramës dhe dalja e pandemisë jashtë kontrollit.
Pandemia i kërcënon dyfish personat me aftësi të kufizuara. Shumë familjarë që kanë humbur punën dhe të ardhurat, vijnë nga kjo pjesë e popullsisë.”- shkruan Basha pas këtij takimi, në një postim në Facebook.
Kryetari i PD-së i kujton qeverisë planin me 5 pika për daljen e vendit nga kriza e pandemisë, ndërsa bën thirrje në veçanti për pagesën mujore të papunësisë prej 160 mijë lekësh.
“Zbatimi i planit tonë me 5 pika do t’u garantonte atyre rimbursimin e plotë të paketës së trajtimit ambulator, pagesën mujore të papunësisë prej 160 mijë lekësh, ose stimulimin e rimarrjes në punë si dhe indeksimin mujor prej 20 mijë lekësh për shpenzimet shtesë për higjienën.
Rritja e kuotave të detyrueshme të punësimit, shërbimet e transportit publik falas, rimbursimi i medikamenteve dhe i trajtimit shëndetësor periodik janë detyrim ligjor dhe moral i shtetit dhe i shoqërisë ndaj tyre. Por kjo nuk mund të bëhet nga një qeveri që nuk i pyet as kur shkruan ligjet abuzive për këtë shtresë, as kur i ngarkon me taksa të shumëfishuara.
Bashkë do ta largojmë të keqen, do të ndihmojmë familjet shqiptare dhe ekonominë dhe do të sjellim një shpresë të re për vendin.”– deklaron Basha.