Papa Françesku ka zhvilluar një bisedë telefonike me Joe Biden, të cilin e ka uruar për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Në një deklaratë nga ekipi i Biden thuhej: “presidenti i zgjedhur falenderoi Shenjtërinë e Tij për dhënien e bekimeve dhe urimeve dhe vuri në dukje vlerësimin e tij për udhëheqjen e Shenjtërisë së Tij në promovimin e paqes, pajtimit dhe lidhjeve të përbashkëta të njerëzimit në të gjithë botën”.
Po ashtu thuhej se ish-zv.presidenti shprehu “dëshirën e tij për të punuar së bashku” në çështje të tilla si kujdesi për të margjinalizuarit dhe të varfërit, ndryshimet e klimës dhe mirëpritjen dhe integrimin e imigrantëve dhe refugjatëve në komunitete.
Biden është katoliku i dytë që fiton zgjedhjet për presidencën e SHBA-ve, pas demokratit John F. Kennedy në vitin 1960. Por presidenti aktual Donald Trump nuk e ka pranuar ende rezultatin e zgjedhjeve dhe ka nisur një sërë procesesh gjyqësore në disa shtete.