Kryeministri Edi Rama ka sulmuar ashpër presidentin Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Vlorë, pasi ky i fundit i vuri notën 10 dje opozitës për përpjekjet e saj për të mbajtur nën kontroll pandeminë.
Rama thotë se Meta doli dje sikur të ishte në klubin e një periferie i dehur.
“Si mundet që shqiptarëve t’ju flitet sikur kjo flamë ka rënë vetëm në Shqipëri dhe jo në të gjithë botën, e si mundet që mos të gjendet forca njerëzore, morale, për t’u bërë njerëzore dhe për të qenë pjesë e përpjekjes për të ndihmuar njerëz. Si mundet që një opozitë e tillë, PD në rradhë të parë t’i mbetet në mbajë të gjuhës propaganda e katastrofës dhe qametit e të katandiset vendi me një president që flet sikur po del në oborrin e një klubi në periferi, pa leje dhe i dehur tërësisht, dhe t’i vërë notën 10 kësaj opozite.
U vë notën dhjetë se vetë shkon edhe më larg, ëndërron luftë, jo me covid, por me qeverinë, me shumicën që e ka kthyer në shënjestër si një forcë armiqësore, ëndërron të bëhet Vojo Kushi mbi tankun imagjinar që është shtypës për Ilir Metën, që shtyp ëndrrën e tij për të vazhduar të hiqet si i treti i vërteti, për t’ju ngjitur o njërit o tjetrit nga dy të mëdhenjt, për të vazhduar të mjelë lopët për qumështin e ndërmarrjes së Monikës. Ky është realiteti i një opozite e cila për fatin më të keq në vend të alternativës ka zgjedhur aleacën me Covidin. Në vend të zërit të shpresës ka zgjedhur të bëhet zëri i fatkeqësisë”, deklaroi Rama.
Kryeministri akuzoi opozitën se shpresën e fundit për t’u rikthyer në pushtet e ka varur te COVID-i.