Vendosni fjalën kyçe....

Rrëfimi pas 8 muajsh i “pacientit zero” në Shqipëri


Më 9 mars të këtij viti, shqiptarët u zgjuan me lajmin se koronavirusi kishte mbërritur në Shqipëri, pasi babë e bir ishtin të infektuar.

 Pacienti zero u konsiderua 28-vjeçari Paulin Kola i cili kishte qenë në Firence dhe besohej se pas mbërritjes në Shqipëri, kishte infektuar dhe babanë Paulin Kolën.

Mirëpo çfarë ka ndodhur tetë muaj më pas me dy pacientët e parë me Covid në vendin tonë? Viktor Kola ka dhënë një intervistë për “Tirana News”.

Ai ka treguar se nuk beson se ka qenë djali i tij “pacienti zero”, pasi vetë ka qenë i sëmurë përpara tij. Madje as vetë nuk beson të ketë qenë i pari me Covid në vendin tonë, pasi miq të tij kishin qenë të sëmurë përpara tij.

“U vizituam bashkë me djalin atje dhe të them të drejtën nuk e dinim se kishim korona, por aty pyetën kur ka qenë djali në Firence, që djalin e ka kapur pas meje, unë ia kam ngjitur atij jo ai mua. Para se të më kapte mua ka pasur mbi 10 shokë të mi.
Aty na thanë që duhet të bënim tamponin, erdhën në shtëpi, sepse u lidh spitali privat me ISHP dhe erdhi një doktor na i mori dhe në darkë na tha që ishim me koronavirus.”– tregon  z.Kola.

Ai thotë se nuk është ndjerë mirë me etiketimin si “pacienti zero”.

“Normalisht nuk u ndjemë mirë se djalit i thoshin pacienti zero ndërkohë që ai nuk ishte. Atë e kam infektuar unë dhe unë e kam marr pas shokëve të mi, e kanë thënë ata që e kemi pasur para Viktorit, po nejse, mua më ngeli. Shumë njerëz e marrin për turp dhe e mbajnë sekret, po kjo pandemi ka pushtuar gjithë botën, pavarësisht se unë nuk e vlerësoj shumë sepse nuk mund të flas më gjuhën e mjekësisë.”

Ai ka folur për eksperiencën e tij në spital, ku mjekët kanë bërë maksimumin e tyre për ta ndihmuar por kushtet në spital ishin të vështira.

“Mjekësia na ka shërbyer në mënyrën më perfekte të mundshme, por kushtet ishin shumë të këqija. Vetëm kushte nuk kishte, kaloriferë të kohësh së Enver Hoxhës, të mykur , të ndryshkur, lagështirë nëpër mure, një skandal i vërtetë. Më keq kam përjetuar kushtet aty, po falë Zotit mjekët na kanë shërbyer shumë mirë.
Unë e kam pas dhe fatin e mirë dhe fatin e keq që kam qenë i pari. Mua më kanë shërbyer mjekët. Tani diçka dhe nga njohja që kam me mjek por dhe ata vetë ishin shumë kuriozë për këtë. Të them nuk më shërbyen i bie të mos kem qenë njeri. Përkundrazi, më kanë shërbyer shumë mirë. Pasi kur kam ikur unë dhe ne që kemi qenë të parët aty ka ndryshuar gjendja, dhe mjekët janë mërzitur, nuk paguhen.”– thotë ai.

Për masat e vendosura së fundmi nga qeveria është dakord, por Kola shprehet kundër masave më shtrënguese për virusin. Ai thotë se pasi emri i tij u bë publik nga mediet se ishte i pari që u infektua me koronavirusin, kjo i dha një goditje të rëndë biznesit të tij.

“Unë kam investuar 30 vjet pothuajse për të krijuar këtë biznes e këtë objekt, me mund e me djersë kishim një kafe që me aq punë sa kam, me atë jetoj. Në atë kohë mori një goditje. Isha në spital se dhe emrin lokalit do ia kisha vënë “Korona”. Njerëzit kishin frikë të vini dhe akoma dhe sot një pjesë e mirë e moshës së tretë e shohin si ajo ‘këtu ka ndodh’.”– tregon z.Kola.

Për fat të mirë, ai dhe i biri e kanë kaluar mirë virusin dhe pas 8 muajsh vijojnë jetën normale.  Ai i këshillon qytetarët që të mos ndjejnë ankth dhe panik, pasi sipas tij virusin do ta kalojnë të gjithë dhe “stresi është armiku një”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *