Imzot George Frendo është në gjendje më të mirë shëndetësore, pas shtrimit në një spital në Itali.
Arqipeshkvëria Metropolitane Tiranë-Durrës bën të ditur se Frendo ka realizuar një komunikim në video me ndihmësin e tij Arjan Dodaj, nga reparti ku ndodhet i shtruar.
Sipas njoftimit, ai ndodhet në një repart normal dhe po mbahet nën monitorim për mushkëritë.
“Ipeshkvi Ndihmes Imzot Arjan Dodaj na bën me dije se ka pasur sot nje video-telefonat me Arqipeshkvin Imzot George Frendo dhe shefin e repartit ku ndodhet i shtruar. Nga sot Imzot Frendo ka kaluar në një nga repartet normal të Covid. Situata shendetësore e Imzot Frendos është shumë stabel dhe po mbahet nën monitorim për mushkëritë, e nevojshme që kjo terapi të stabilizohet për ta kthyer në mënyrë të shëndetshme nga prania e virusit. Situata është shumë e qetë.
Imzot Frendo është shprehur se mezi pres të kthehem në Arqidioqezë (Tiranë) për t’iu rikthyer aktiviteteve dhe jetës baritore.”- thuhet në njoftim.
Frendo nuk është i vetmi drejtues fetar me Covid-19 në vendin tonë. Pak ditë para tij edhe kryepeshkopi Anastas Janullatos u dërgua me avion në Athinë. Ndërkohë sot Myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari, u nis drejt Turqisë për mjekim të specializuar.