Vendosni fjalën kyçe....

Ligji për Metrologjinë, Konfindustria: Rrezikojmë pasoja që prekin gjithë ekonominë


Gjergj Buxhuku, Administratori i Konfindustrisë

Konfederata e Industrisë ka mbështetur dekretin e presidentit Ilir Meta, që kthen në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Metrologjinë.

Përmes një deklarate zyrtare, Konfindustria thotë se ky ligj do të sjellë pasoja negative jo vetëm për  tregun strategjik të metrologjisë, por për tërë ekonominë kombëtare ndaj i kërkon Kuvendit që të rishikojë ligjin dhe të kryejë ndryshimet e domosdoshme.

“Konfindustria mbështet dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin e ligjit për meterologjinë për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë.

Konfindustria i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të shfrytëzojë rastin e dhenë për të kryer ndryshimet e domosdoshme të problematikave të mprehta në ligjin në fjalë. Në rast të kundërt rrezikojmë të kemi pasoja, që prekin interesin publik, duke tejkaluar ndjeshëm jo vetëm ndikimin negativ në tregun strategjik të meterologjisë, por shtrihen në gjithë ekonominë kombëtare.”– thuhet në deklaratë.

Konfindustria thekson se Shqipëria ka lidhur kontratat me shifrat më të larta në rajon dhe se koncesione të tilla rrezikojnë të jenë të pakontrolluara me anë të këtij ligji.

“Së pari, rrezikojmë, që të thellojmë edhe më shumë problematikën serioze të deritashme të përdorimit të PPP dhe koncesioneve për gjithë sektorët e ekonomisë, duke e kthyer në një proces të pakontrolluar, deri në anarshi të plotë. Shqipëria ka lidhur deri më sot kontrata PPP në vlerë mbi 2.2 miliard dollarë, më e larta krahësimore në Rajon.

Së dyti, kalimi me ligj në monopol privat i shërbimit të kontrollit të meterologjisë prek drejtpërdrejt financiarisht qytetarët, biznesin dhe ekonominë kombëtare. Mungesa e parashikimeve ligjore dhe pamundësia teknike sesi do të kontrollohet “kontrollori privat” nga abuzimet e mundshme gjatë ushtrimit të detyrës si dhe mundësitë për prishje të rregullave të konkurrencës së lire ndërmjet operatorëve në treg, e bën tërësisht të dyshimtë dhe të pambështetur interesin publik nga PPP në fjalë. Vlerësojmë, se e gjithë kosto e shërbimeve të kontrollit të pompave të karburanteve të kryera nga operatori privat, kalon në rritje të mëtejshme të cmimit fundor për qytetarët dhe biznesin. Shqipëria zë sot ndër vendet e para në botë për cmimin më të lartë të karburanteve, që përbën një nga arsyet kryesore të goditjes së biznesit, mirëqënies së qytetarëve dhe zhvillimit të ekonomisë kombëtare.”- thuhet në deklaratën e Administratorit të Përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.

Pas kthimit të Ligjit në Kuvend, Meta bëri gjithashtu një kallëzim pranë SPAK-ut, ku kërkoi nisjen e hetimeve për hartuesit dhe propozuesit e draftit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *