Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Manastirliu: Qeveria ka gati paketën e rimbursimit 1.2 miliardë lekë


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka bërë të ditur vendimin e ri të qeverisë për rimbursim e trajtimit ambulator në banesë.

Ajo tha n ë një deklaratë për media se ilaçet bazë sipas protokollit të miratuar për kurimin e Covidit do të rimbursohen dhe u bëri thirrje qytetarëve t’i drejtohen mjekut të familjes, i cili do t’i trajtojë sipas protokolleve.

Ministrja thotë se nga financimi prej 1.2 miliardë lekësh, qytetarët do të përfitojnë nëpërmjet dy skemave sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

“Paketa e rimbursimit për trajtimin ambulator në banesë të personave të testuar pozitiv me Sars-Cov-2 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Skema 1 e trajtimit e cila përfshin format e lehta të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov-2. Skema 2 e trajtimit e cila përfshin format e moderuara të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov. Kostoja vjetore parashikohet 1.2 miliard lekë në vit”, tha Manastirliu.

Ajo shton: “Të dyja skemat e mjekimit janë pjesë e udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Mjeku i familjes e di kur trajtohen, si trajtohen, kur merret skema e parë e trajtimit, çfarë elementësh ka skema e parë apo e dytë, këtë e përcakton mjeku”.

Ministrja Manastirliu tha se aktualisht në vendin tonë ka “265 vatra aktive të koronavirusit, ku 76% e tyre janë vatra familjare”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *