Artistja Justina Aliaj ndodhet e shtruar prej disa ditësh në spitalin Infektiv, pasi është e prekur nga Covidi.
Ajo ka folur për kamerën e televizionit “News 24” për gjendjen e saj shëndetësore dhe kujdesin që kanë treguar mjekët për të.
Aliaj tha se nëse do të mund ta fitonte betejën me koronavirusin, s’kishte për ta harruar kurrë atë që mjekët e infermierët bënë për të.
“Jam më mirë se sa ditën e parë. Nuk jam e trembur. E dua shumë popullin tim. Me dasht Zoti me m’lënë, dua të them se këtu janë kujdesur jashtëzakonisht shumë për mua. Kam parë që kanë bërë një mrekulli për mua. Nuk do i harroj kurrë deri sa të vdes. Fillimisht u tregova e papjekur, mendova që jam me grip, pra e vonova ardhjen. Kur erdha isha gati sikur po hyja në një tunel. Kur erdha këtu isha në gjendje jo të mirë, e ndjej përmirësimin.”– tha artistja mes lotësh.
Stafi i “News 24” realizoi një kronikë brenda spitalit Covid 1, ku mori dëshmi të pacientëve dhe të mjekëve. Pacientët tregonin me gjysmë zëri dhe me vështirësi për gjendjen e tyre, ndërsa shprehnin falenderime për ndihmën e mjekëve.