Vendosni fjalën kyçe....

Rama thumbon Bashën me pamjet brenda Infektivit: “Realitet apo propagandë? Turp kush përhap panik”


Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas një kronike të realizuar nga stafi i televizionit “News 24”, nga brenda spitalit Infektiv pasi kishin marrë një leje të posaçme për ta bërë këtë.

Rama ka thumbuar kryedemokratin Lulzim Basha, i cili e ka kritikuar vazhdimisht për situatën lidhur me pandeminë. Rama thotë se është “turp” për të gjithë ata që kanë përhapur lajme të rreme për “kolapsin në spitale”, pasi sipas tij kjo kronikë tregon të kundërtën e atyre çfarë thotë opozita.

“REALITET APO PROPAGANDË?
*faleminderit gazetares dhe televizionit News 24 për këtë material dokumentar nga realiteti i spitalit Covid 1🙏
**dhe turp e përsëri turp, kush përhap panik tek njerëzit me shpifje për “kolapsin” në spitale, pacientët që “dergjen nëpër dysheme”, oksigjenin që “mungon” e me të tëra helmet e gojës së shthurrur, prej mendjes së humbur…”- shkruan Rama.

Opozita e ka akuzuar qeverinë Rama se për shkak të mosmarrjes së masave të duhura dhe në kohë, a çuar sistemin shëndetësor drejt kolapsit, me pacientë që presin me orë të tëra në autoambulanca derisa t’i gjendet një shtrat bosh në spitalet Covid të mbingarkuar.

Vazhdimisht kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga brenda spitaleve të Covid, duke thënë se ka ende shtretër bosh dhe kapacitete për të trajtuar pacientë me Covid.

Por ai është përballur shpesh me pyetjet se përse i nxjerr vetë pamjet nën logon e ERTV-së, kur mund të lejojë gazetarë profesionistë të futen në spitale dhe të bëjnë raportime më të besueshme. Rama është shprehur se gazetarët nuk janë penguar, por thjesht kanë nevojë të marrin një leje të veçantë duke marrë parasysh situatën e pazakontë në të cilën ndodhet Shqipëria dhe e gjithë bota.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *