Studiuesit besojnë se janë një hap më afër për të kuptuar pse koronavirusi i ri vret disa njerëz dhe i kursen disa të tjerë.
Në një studim të ri, një grup studiuesish zbuluan se disa pacientë të sëmurë në mënyrë kritike kanë antitrupa që çaktivizojnë proteina të caktuara të sistemit imunitar.
Këto antitrupa, të cilët janë të njohur si auto-antitrupa, lejojnë që virusi të replikohet dhe të përhapet nëpër trup dhe të sulmojë qelizat dhe indet tona.
Për më tepër, pothuajse të gjithë pacientët me këto antitrupa ishin burra.
Ekipi i udhëhequr nga Institut Imagine në Paris dhe Universiteti Rockefeller në New York, thotë se gjetjet sugjerojnë që mjekët duhet të kontrollojnë pacientët për këto antitrupa para se ata të sëmuren rëndë.
Për të realizuar studimin që është publikuar në revistën Science, ekipi shqyrtoi gati 1.000 pacientë me COVID-19, të cilët ishin në gjendje të rëndë.
Këta pacientë u krahasuan me më shumë se 600 pacientë që ishin raste të lehta ose asimptomatike, si dhe rreth 1,200 kontrolle të personave të shëndetshëm.
Rezultatet treguan se gati 10 përqind e rasteve kritike kishin autoantitrupa që çaktivizojnë proteinat e sistemit imunitar të quajtur interferone.
Interferonet sinjalizojnë proteina të lëshuara nga qelizat e infektuara dhe kanë aftësinë për të ‘ndërhyrë‘ në aftësinë e virusit për t’u shumëzuar. Ato kontrollojnë replikimin viral derisa më shumë qeliza imune të kenë kohë të mbërrijnë dhe të sulmojnë patogjenin.
Por auto-antitrupat i bllokojnë interferonet dhe sulmojnë qelizat, indet dhe organet e trupit.