Ish-ambasadorja e OKB-së dhe guvernatorja republikane e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, u vu në shënjestër të premten nga “Twitter”-i pas një postimi të saj në lidhje me mashtrimin në zgjedhje.
Ajo ka reaguar e irrituar pse rrjeti social i vendosi paralajmërim postimit të saj, duke kujtuar se Twitter-i nuk ka vepruar njëlloj kur bëhet fjalë për postime të liderit të Iranit lidhur me Holokaustin.
“Uau. Kur Ajatullahu i Iranit thotë se Holokausti nuk ka ndodhur, Twitter nuk thotë ‘ky pretendim është i diskutueshëm’. Kur them se votimi jo direkt e bën më të lehtë mashtrimin në zgjedhje, Twitter-i thotë se kjo është e diskutueshme. Pyes pse konservatorët nuk i besojnë teknologjisë?” – shkroi Haley në Twitter.
Haley kishte shkruar më herët në Twitter, se pavarësisht asaj që raporton media “mashtrimi në zgjedhje ndodh” dhe politika si hedhja e fletëve të votimit jo direkt nga individi por përmes palëve të treta siç ndodhi me votimin me postë, e bën mashtrimin më të lehtë të ndodhë.
Por Twitter shpejt i vendosi një paralajmërim postimit, duke pretenduar se deklarata e Haley-t ishte “e diskutueshme” pasi mashtrimi me votat ishte “tepër i rrallë”.
Presidenti Donald Trump dhe republikanë të tjerë, kanë marrë vazhdimisht paralajmërime në postimet e tyre në lidhje me akuzat për mashtrim në zgjedhje, shkruan Fox News. Por postimi i Haley-t ishte më i moderuar dhe nuk bëri pretendime specifike, përveç se tha që mashtrimi ndodh dhe disa politika të caktuara e bëjnë atë më të lehtë.
Më pak i moderuar ishte postimi nga Udhëheqësi Suprem iranian Ali Khamenei. Në tetor ai pyeste se pse ishte “krim” të ngresh dyshime rreth Holokaustit. Postimi i tij as nuk u censurua e as u shënua me një paralajmërim.