Në seancën e sotme plenare në Kuvend, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, komentoi procesin e vlerësimit të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike.
Kjo pasi ishte ngritur si çështje nga deputetë të opozitës. Balla tha se vetë PS-së ka zhvilluar procesin më të pastër dhe më transparent që anëtarësia e partisë mund të bëjë në vlerësimin e kandidatëve dhe ofroi konsulencë për demokratët se si të bëjnë të njëjtën gjë.
“E ngriti zoti Murrizi a kush e ngriti tjetër shqetësimin për çcështjen e demokracisë së Brendshme të partive politike. Mos na e kërkoni ne fajin që partia e idealeve të dhjetorit dikur është kthyer në një parti ku ngrihet një Komision i Posaçëm i Genc Rulit dhe Mark Markut, dhe ngarkohen me detyrën për të pushkatuar pa gjyq çunin e Fahri Balliut apo Salianjin e PD-së.
Kjo nuk është çështja jonë. Partitë çështjet e tyre i zgjidhin me statut. Nëse doni një model se si mund të përfshihet anëtarësia e partisë në vlerësimin e kandidatëve apo deputetëve Bujrum, mund t’ju ftojmë një ditë dhe t’ju shpjegojmë se si kemi organizuar procesin më të pastër dhe më transparent të vlerësimit që anëtarësia e partisë mund të japë.
Por për grupet armiqësore brenda PD-së ku Genc Ruli lan hesapet me Salianjin, apo Besnik Mustafai asgjëson përfaqësuesin e Fahri Balliut, kjo është një çështje që nuk na takon.”– deklaroi Balla.
Këtë vit Partia Demokratike ka nisur një proces ndryshe të përzgjedhjes të kandidatëve për deputetetë, të cilët vlerësohen nga anëtarësia e partisë ndërsa kalojnë edhe në një filtër të një Komisioni të Posaçëm.
Pesë emrat e përzgjedhur për Komisionin e Vlerësimit janë: Genc Ruli, Besnik Mustafaj, Mark Marku, Bujar Nishani dhe Enriketa Papa.