Prej disa ditësh disa nga ish-liderët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, ndodhen në Gjykatën Speciale të akuzuar për krime lufte.
Paralelisht me këtë ngjarje, në Tiranë, kryeministri Rama, numri dy i PS-së, Balla dhe Top-Channel kanë lëshuar akuza ndaj PD-së dhe dyshes Berisha-Basha.
Akuzat e para kishin të bënin me miratimin e një rezolute në parlament për hetimet në Shqipëri për trafik organesh, hetime të kryera pas raportit të Dick Marty-t.
Por kjo pistë u hodh poshtë fillimisht nga eksperti i antropologjisë dhe hetuesi në çështjen e ‘Shtëpisë së Verdhë’ për trafik organesh, Jose Pablo Baraybar e më pas nga ish-kryeprokurori i EULEX-it në Kosovë, Clint Williamson, të cilët deklarruan se Basha nuk kishte marrë pjesë në asnjë hetim, në asnjë ekip ndërsa punonte në UNMIK apo më pas.
Paralelisht me çështjen e ‘Shtëpisë së Verdhë’ e akuzat për trafik organesh, emri i Bashës del në një tjetër akuzë, kësaj here nga një shqiptar i Kosovës.
Milaim Bellanica u shfaq në Top-Channel duke e akuzuar Bashën se kishte zhdukur kasetën origjinale të masakrës së Krushës, të filmuar nga Bellanica gjatë luftës në Kosovës.
Në disa intervista me Bellanicën e banorët e Krushës, Basha akuzohej si personi që kishte zhdukur një dëshmi kyçe për masakrën e Krushës, si pjesë e masakrave të ushtrisë serbe gjatë luftës.
Njëkohësisht, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e akuzoi Bashën se kishte zhdukur këtë dëshmi të rëndësishme duke i bërë thirrje kryedemokratit që të dorëzonte filmimet.
Por pa kaluar pak orë nga lajmi i fundit i publikuar nga Top-Channel, në faqen e BBC-së u arrit të gjendej lajmi me videon e masakrës së Krushës, ku specifikohej se Milaim Bellanica ia kishte dhënë korrespodentit të BBC-së kasetën me filmimet. Videon e parë të Bellanicës, e ka gjetur gazetari Telnis Skuqi, e më pas ajo është publikuar nga Hashtag.al.
Video të ngjashme, të cilas sipas Bellanicës, Top-Channel e Ballës ishte zhdukur nga Basha, mund të gjendeshin edhe në media të tjera. Ndërsa rezultoi se i pari filmimet e masakrës së Krushës në Shqipëri i kishte marrë ish-deputeti i PS-së, Dashamir Peza.
Në intervista të ndryshme, dëshmitari dhe akuzuesi kyç, Bellanica, thotë gjëra të ndryshme.
Në videon që është pjesë e këtij shkrimi, të marrë nga dokumentari “Dëshmitë e heshtura”, i realizuar nga Teki Sadiki dhe Mahmut Morina, në vitin 2016, Bellanica thotë se pamjet e masakrës i ka filmuar katër ditë pas saj, duke qenë se në momentin e masakrës nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, por është larguar duke u fshehur.
Ai pohon me zë e figurë se pamjet origjinale ia ka dorëzuar Bashës, por ky i fundit i ka dhënë atij kopjen e filmimeve.
Ndërkohë që përfaqësuesit e PS-së thonë se videoja ka qenë 45 minuta, ekstrakti i BBC-së thotë se videoja ka qenë 2 minuta e 30 sekonda.
Taulant Balla, në një deklaratë të para pak ditëve tha se në videon e Bellanicës për masaskrën e Krushës shihen jo vetëm pamjet e asaj që ka ndodhur por mund të dëgjohen edhe deklaratat e ushtarëve serbë.
Këtu ka një problem.
Videoja nuk mund të përmbante deklarata të ushtarve serbë, siç pretendon Balla, për faktin e thjeshtë se ajo nuk është filmuar në çastin kur ka ndodhur masakra, por katër ditë më vonë siç e pohon edhe Bellanica me gojën e tij.
“Për këto krime këtu që janë ndodh nuk është dënu asnjë serb, asnjë kriminel, i cili e ka bë këtë krim këtu. Kjo ngjarje e fshatit tonë ka ngel e heshtur, shumë shumë e heshtur. Që është shumë e dhimbshme për ditët e sodit. Këtë ngjarje që ju spjegova kam ardh pas katër vitëve e kam filmu që ta kem dëshmi për veti. E kam dhënë dëshminë në gjyq të Hagës, i cili ka qenë përkthyes Lulzim Basha që sot është kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, ai ka qenë përkthyesi i cili ia kam dorëzu incizimin origjinal. Kopjen ma ka dhënë mu.” – thotë Bellanica në dokumentarin e publikuar.
Hashtag.al, K.Manjani