Vendosni fjalën kyçe....

Dash Peza përgënjeshtron Taulant Ballën: Kasetën e plotë e mori BBC dhe e ka çuar në OKB


Ish-deputeti socialist, Dashamir Peza, i cili në vitin 1998 ishte i vetmi shqiptar që pa nga afër një masakër të serbëve të kryer në Krushë, së bashku me grupin e BBC që shoqëronte si përkthyes, që kishte ardhur në Kukës për të gjetur prova mbi atë që po ndodhte në Kosovë.

Në një rrëfim ekskluziv për drejtorin e informacionit në News24, Robert Rakipllari, ish-deputeti Peza rrëfeu se ai dhe grupi i BBC kishin marrë një kasetë, që tregonte masakrën e tmerrshme serbe në Krushë.

Sipas tij, në kasetë ishin pamje të tmerrshme, të cilat ai nuk kishte mundur dot t’i shihte të plota.

Gjatë intervistës, Peza, ka përgënjeshtruar Taulant Ballën teksa deklaron se kasetën e plotë të Bellanicës e ka marrë ekipi i BBC-së dhe më pas ajo mund t’i jetë ofruar OKB-së.

Intervista e plotë

Peza: “Më 1998 kam qenë me grupin e BBC në Kukës për të ndjekur të gjithë atë ngjarje, që ne e kemi të qartë tashmë, ardhjen masive të refugjatëve që vinin nga Kosova përmes kufirit të Kukësit, që vinte si rezultat i dhunës së tmerrshme nga serbët. Në një nga këto ditë ne kemi qenë në kufi bashkë me trupën e BBC. Unë kam luajtur rolin e përkthyesit, nuk kam pasur detyrë të vecantë. Në një nga ato netë na ofrohet një person, që nuk e njihja më parë, që na thotë se ka një kasetë, ku ka filmuar një masakër që ka ndodhur në Krushë të Madhe nga serbët. E pyetëm personin se kush e ka kasetën, dhe na tha se nuk e ka ai vetë, pasi kishte frikë mos e kontrollinin në kufi, por ja kishte dhënë nënës. Të nesërmen ka ardhur personi, bashkë me kasetën. E kemi pritur me shumë emocion, pa diskutim, e gjithë trupa. Të gjithë ishim të vetëdijshëm për atë që po ndodhte në Kosovë, por ende nuk kishim një provë të vetme për ta vërtetuar.

Ka sjellë kasetën, e cila ishte një mini-kasetë e vogël dhe ishte shumë e vështirë për të gjetur një pajisje për ta trasnemtuar. Duke kërkuar në gjithë Kukësin, në fund iu drejtuam televizionit në Kukës, ku mundëm ta shohim. Ka qenë një material i gjatë, i filmuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Pamjet ishin tronditëse, unë nuk kam arritur të shoh më shumë se 5 minuta nga ngjarja, pasi kishte pamje vërtet shumë të rënda. Është marrë kaseta nga grupi i BBC, është përgatitur një kronikë”, tregoi ai.

Rakipllari: Pse nuk u transmetua e plotë nga BBC?

Peza: Kam bërë një diskutim me orë, sa duhet të jepnin, që lajmi të mos deformohej, por që publiku i tyre të mos terrorizohej nga pamjet. Edhe ora e dhënies, edhe cilat fragmente duheshin transmetuar, e sa të gjatë duhet të ishin, kanë qenë pjesë e një diskutimi të gjatë.

Rakipllari: Cfarë u bë me këtë kasetë me tej?

Peza: Me kujtesën që kam unë mendoj që kjo kasetë i është bërë e qartë Melaimit që ai po ja dhuron BBC dhe përshtypja ime është që ka pasur një marrëveshje mes dy palëve. Ai ka pranuar që ta japë, BBC ka bërë të qartë që ata nuk blejnë lajme. Nëse zotëria dëshironte të ndihmonte që lajmi t’i bëhej i njohur botës, duhet të jepte kasetën te BBC. Kam përshtypjen që BBC ja ka ofruar zyrës së OKB, por përtej kësaj nuk di asgjë, sepse këto janë cështje që nuk kishin nevojë për përkthim nga ana ime.

Rakipllari: Pra, përfaqësues të OKB e kanë marrë në pyetje psi dëshmitar Milaimin…

Peza: Po, kanë bërë një intervistë për dëshminë e tij, se çfarë kishte parë ai. Unë do thoja që akti i tij është tepër heroik. Të gjithë u impresionuam, pasi vuri jetën e vetë në rrezik dhe të nënës së tij që mbajti kasetën. Deri dje isha krenar që isha pjesë e kësaj historie edhe pse sot lajmi ka marrë një rrjedhë të padëshiruar. Jetojmë në një periudhë ku loja me fatin dhe personalitetin e tjetrit është kthyer në të pacipë, dje po thoja pse më qëlloi fati të isha pjesë e saj.

Rakipllari: Jeni takuar më me të pas këtij momenti?

Peza: Jo nuk e kam takuar, nuk kam mbajtur më kontakte.

Rakipllari: Ai pretendon se ka bërë padi në prokurori për çështje pagesash…

Peza: Kush duhet të paguante, unë?

Rakipllari: Ai përmend prokurorin Rakipi…

Peza: Është kaq e papritur për mua, jam shkëputur nga mediat e lajmet duke jetuar edhe në fshat, por po të them që deri dje se kam pas idenë që kjo histori ekziston dhe unë qënkam i akuzuar. Nëse do kishte ndonjë pagesë, të pyetet BBC nëse ka akorduar ndonjë shumë për të dhe ka dashur t’ja japë përmes meje, por që unë s’ja kam dhënë kjo nuk qëndron. Por unë besoj që media të tilla të fuqishme nuk paguajnë për lajme, e ka kriter BBC.

Rakipllari: Zoti Bellanica, pretendon që këtë kasetë ia ka dhënë Lulzim Bashës që punonte në UNMIK dhe se e ka zhdukur ai…

Peza: Nuk kam asnjë lloj dijenie. Di që përfaqësuesit e OKB kanë bërë një intervistë me Melaimin, mbaj mend që është intervistuar.

Rakipllari: Ka qënë Basha?

Peza: As e kam njohur, as ia kam idenë kush ka qënë Basha në atë kohë.

Rakipllari: Ju dini që kasetën e ka dhënë tek BBC e cila e ka dorëzuar pranë OKB?

Peza: Këtë përshtypje kam, por kanë kaluar 22 vite. Kështu besoj se ka ndodhur se ka pas kontakt mes tyre. Nuk do habitesha ta kenë marrë përfaqësues të OKB

Rakipllari: Si përfaqësues politik dhe anëtar i PS, si e gjykoni këtë debat kur udhëheqësit politikë të Kosovës janë të akuzuar në Hagë për krime lufte dhe këtu ka polemika mes palëve?

Peza: UÇK është forcë e lavdishme dhe ashtu duhet të mbetet. Shqiptarët të jenë bashkë për t’i qendrurar në krah luftëtarëve të lavdishëm të UCK. Përtej arritjeve si njohje politike ka momente kur klasat politike të kalojnë përtej interesave imediate, të jenë bashkë dhe t’i rrinë në krah këtyre njerëzve që kanë udhëheqyur një luftë të jashtëzakonshe që meriton respektin dhe përuljen tonë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Balkanweb


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *