OSBE ka prezantuar sot si ambasadorin e ri në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, i cili ka karrierë 23-vjeçare në shërbimin diplomatik italian.
Lajmin e jep vetë zyra në Tiranë e OSBE-së, ndërsa jep dhe një biografi të diplomatit italian.
Para se t’i bashkohej Prezencës në Shqipëri, ambasadori Del Monaco ishte ambasador i Italisë në Armeni dhe, më parë, ambasador i Italisë në Malin e Zi.
Vincenzo del Monaco ka shërbyer në Pekin, në Përfaqësinë e Përhershme italiane në Bashkimin Evropian, në Bruksel, si edhe në kabinetin e këshilltarit diplomatik të ish-presidentit të Italisë, Giorgio Napolitano.
Ai është diplomuar në Universitetit “La Sapienza” të Romës dhe zotëron diplomën Master i Drejtësisë në Studimet e Larta Ligjore Evropiane nga Kolegji i Evropës në Bryzh; si edhe një diplomë nga École Nationale d’Administration. Në njoftimin e OSBE-së thuhet gjithashtu se Monaco flet italisht, anglisht dhe frëngjisht. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.
Prezantimi i ambasadorit të ri bëhet vetëm disa muaj para zgjedhjeve parlamentare.