Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, ka dhënë më shumë informacione lidhur me projektet për furnizim me ujë të pijshëm.
“Sot janë të hapura mbi 128 kantiere të hapura, plus edhe 70 të tjera pritet të hapen gjatë 2021. Janë dhënë 514 milion euro investime nga 2014 deri në 2019”.- tha Balluku.
Në konferencën për shtyp, Balluku deklaroi se në vitin 2013 vetëm qyteti i Korçës furnizohej 24 orë me ujë, ndërsa premtoi se në vitin 2021, mbulimi me ujë të pijshëm do të jetë 24 orë në zonat urbane.
“Pavarësisht se nga viti ‘91 deri në 2013 janë dhënë mbi 1,5 miliardë euro investime vetëm në rrjetin e ujësjellësit, në 2013-ën vetëm qyteti i Korçës mund të garantonte furnizim me ujë 24 orë. Ne parashikojmë që të ketë 24 orë ujë pa ndërprerje në 52 zonat urbane. Duam ta presim sezonin veror me parametra të tjerë sa i përket furnizimit me ujë.”– tha Balluku.
Ministrja theksoi se uji duhet edhe paguar dhe tha se ka patur investime edhe në ujëmatësa
“Deri në fund të mandatit të dytë ne do të kemi investuar 686 milionë euro për furnizim me ujë të pijshëm për zonat urbane. Investimet shkojnë së bashku me nivelin e faturimit. Ne kemi shumë kantiere të cilat do të mbyllen dhe më pas do të hapen të reja, pasi puna në sektorin e ujit është një punë e cila do të vazhdojë. Nuk mbaron as në 2021-shin as në 222-shin.
Duhet pasur parasysh që gjatë kohës që investojmë, uji edhe duhet paguar. Ne kemi investuar edhe në ujëmatësa që duhet të jenë në çdo familje dhe në çdo abonent për të mbledhur më pas të gjithë faturimin e duhur. Niveli i arkëtimeve dhe faturimeve është rritur me 70% duke ndërprerë edhe lidhjet e paligjshme. Pra, kemi dyfish arkëtime krahasuar me 2013”- deklaroi ministrja.