Kreu i PD-së, Basha, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me biznesin e vogël në Tiranë.
Pasi dëgjoi ankesat e tyre kryedemokrati tha se kjo duhet të ishte periudha kur qeveria të ndihmonte biznesin siç ndodh në të gjitha vendet e rajonit.
Por në vend të kësaj sipas kreut të PD-së, kryeministri ka vendosur t’i përdorë taksat e shqiptarëve në funksion të oligarkëve dhe fushatës së shpifjeve kundër opozitës.
“Ndihma e qeverisë shqiptare për të luftuar pasojat e pandemisë, ishte vetëm 1 %e prodhimit të brendshëm bruto, më e ulëta në Europë. Ndërkohë që vëmendja e autoriteteve dhe buxheti i shtetit duhet të ishin në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve në nevojë, e gjithë makineria qeveritare është vënë në funksion të propagandës dhe një fushate shpifjeje kundër opozitës.” – tha Basha.
Ai i premtoi biznesit të vogël se qeveria e re pas 25 prillit do ndalojë menjëherë përdorimin e parave të shqiptarëve për oligarkët duke i vënë ato në funksion të ndihmës ekonomike ndaj qytetarëve dhe biznesit.
“Qeveria e dalë nga 25 prilli do t’i japë fund kësaj neglizhence dhe shpërdorimi kriminal të resurseve shtetërore, nëpërmjet një plani për ta ndihmuar ekonominë duke filluar me njerëzit e thjeshtë që kanë mbetur pa asnjë të ardhur, atyre që kanë humbur vendet e punës, ndihmë për njerëzit e thjeshtë, ndihmë për biznesin duke filluar nga biznesi i vogël, ndihmë për të gjithë ata që sot kanë nevojë më shumë se kurrë që shteti, paratë e taksave t’i çojë për të ndihmuar ata.” – shtoi ai.