Ndërkohë që shumë vende luftojnë me valën e dytë të koronavirusit, Finlanda ka nivelin më të ulët të rasteve të reja në Evropë. Duket se finlandezët i ka ndihmuar fakti se atyre distancimi shoqëror u vjen natyrshëm.
Ndikuar nga pozicioni i largët në hartë dhe densiteti i ulët i popullsisë që luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër Covidit, shumë finlandezë preferojnë hapësirën personale dhe vetminë.
Mika Salminen, i cili është drejtor në autoritetin e shëndetit publik të Finlandës (THL) thotë se finlandezët preferojnë t’i mbajnë njerëzit të paktën 1 metër larg, pasi përndryshe nuk ndihen rehat: “Ndoshta zona personale e finlandezëve është pak më e gjerë sesa në disa vende të tjera evropiane. Ne do të dëshironim t’i mbanim njerëzit një metër ose më shumë larg pasi ndryshe do fillonim të ndiheshim jo rehat.”
Në një sondazh të Eurobarometer, 73% e të anketuarve finlandezë thanë që masat e mbylljes së parë kishin qenë shumë ose mjaft të lehta për t’u përballuar. Madje 23% e tyre, i kanë konsideruar ato “një përmirësim” të jetës së tyre të përditshme.
Shumë finlandezëve u pëlqen të kalojnë më shumë kohë në natyrë ose të kenë sauna në shtëpitë e tyre verore buzë liqenit.
“Ne na pëlqen të jemi në vetmi duke bredhur nëpër pyje dhe duke notuar në liqene, kështu që shumë finlandezë e kanë shijuar faktin që ata kanë qenë në gjendje të largohen nga qytetet.”– tha Kristian Wahlbeck, drejtor i Shoqatës Finlandeze për Shëndetin Mendor (MIELI).
Një studim i Eurofound tregoi se në prill, përpjekjet fillestare të qeverisë finlandeze për të përmbajtur virusin u mbështetën nga niveli më i lartë i punës në distancë në Evropë, me gati 60% të punonjësve finlandezë që punuan nga shtëpia.
Rreth 2.5 milionë finlandezë kanë shkarkuar vullnetarisht aplikacionin qeveritar për gjurmimin e kontakteve, një normë që kolegët e Salminen në autoritetet e Shëndetit Publik në vendet e tjera evropiane munden vetëm ta ëndërrojnë.
“Ai është në të vërtetë një faktor kyç në strategjinë tonë i cili bazohet në pragun shumë të ulët të testimit, gjurmimit të kontakteve… dhe karantinës.”– tha Salminen.
Pas valës së parë, rastet e përditshme të COVID-19 ranë afër zeros në muajin korrik, por qeveria vijoi të mbante disa nga kufizimet më të rrepta të udhëtimit në Evropë. Kjo e lejoi Finlandën të hynte në valën e dytë me një bazë shumë të ulët të infeksioneve.
“Në një autobus ne ulemi në një ndenjëse dyshe që është e lirë dhe kjo është si distancë natyrore shoqërore për ne dhe mendoj se kjo është mënyra se si ne jemi rritur.”– tha Juha, një mësuese në kryeqytet.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Reuters / Përshtati në shqip Hashtag.al