Ish-këshilltari i presidentit Meta, ka vendosur të kandidojë për deputet.
Bahri Shaqiri e ka pohuar këtë gjë në një intervistë të dhënë për Balkanweb.
Ai sqaron se do kandidojë për LSI-në në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Pjesë nga intervista
Z.Shaqiri, cila është arsyeja e dorëheqjes tuaj nga detyra e Këshilltarit të Presidentit Meta për Çështjet e Sigurisë Kombëtare?
Kam vendosur të testoj veten time në një sfidë të re, që nuk përputhej me statusin tim.
Dhe cila është kjo sfidë?
Të përfaqësoj komunitetin e Shijakut në zgjedhjet e ardhshme. Jo vetëm kaq, por t’i shërbej këtij komuniteti të mrekullueshëm, që meriton një të ardhme shumë më të mirë.
Përmes cilës force politike do kandidoni?
Besoj se hapësirën më të mirë për të qenë vetëvetja e shoh te Lëvizja Socialiste për Integrim, me të cilën kam patur një eksperiencë të shkurtër dhe më parë.
A pritet që ju të kryesoni listën e LSI për Qarkun e Durrësit?
Motivi im kryesor është të përfaqësoj komunitetin e Shijakut. Natyrisht, që ky kontribut i shtohet të gjithë Qarkut të Durrësit. Por LSI në Durrës nuk fillon me angazhimin tim politik, përkundrazi.
LSI është një forcë tepër solide dhe në rritje të pandërprerë, pranë së cilës janë afruar edhe shumë figura të reja dhe me përvojë, të cilat e drejtojnë dhe e përfaqësojnë me shumë përkushtim e pasion.
Edhe sikur të më kërkohej një gjë e tillë unë nuk do ta pranoja, pasi nuk synoj të përfitoj nga kontributi i të gjithë atyre që kanë punuar me përgjegjshmëri dhe integritet për LSI-në. Unë synoj të jem një kontribut i shtuar i një ekipi fitues dhe mbi të gjitha të kontribuoj për të ndryshuar faqen e Shijakut, që ka aq shumë resurse për zhvillim. Mbi të gjitha të përfaqësoj qytetarët patriotë dhe punëtorë me vlera të jashtëzakonshme të Shijakut.