Kjo e martë shënon 76-vjetorin e çlirimit të Tiranës nga ushtria gjermane në vitin 1944.
Me këtë rast, presidenti Ilir Meta ka zhvilluar homazhe te “Ushtari i Panjohur”. Ai s’ka nguruar të bëjë dhe deklarata politike, duke thënë se Shqipëria nuk duhet të humbasë drejtimin Europian.
“Çlirimi i Tiranës ishte mjaft i rëndësishëm sepse i la një legjitimitet të jashtëzakonshëm ndërkombëtar luftës antifashiste dhe kontributit të popullit shqiptar në nivele ndërkombëtare.
Sigurisht që dhe një mirënjohje shkon për popullin e Tiranës që u bë njësh me çlirimtarët, që i ktheu shtëpitë e tij në brigada kundër pushtuesve, i shkon fëmijëve, grave të moshuarve që ndërronin barrikada natën në mënyrë që çlirimtarët të përparonin gjatë ditës.
Në këtë ditë kaq të rëndësishme të luftës antifashiste të kryeqytetit, të popullit shqiptar, është e rëndësishme që jo vetëm të ulemi me nderim, por mbi të gjitha të punojmë për të çuar deri në fund amanetet e tyre për një Shqipëri të lirë, demokratike, një vend ku shqiptarët të jetojnë të lumtur dhe optimist. Për një Shqipëri që i jep fund largimit dhe shpopullimit nga ky vend për të cilën gjaku është derdhur lumë brez pas brezi.
Sot është një ditë reflektimi për të bërë shumë më tepër sesa deri tani, që Shqipëria të mos e humbasë drejtimin Europian. Mos harroni se jemi në prag të lëvizjes së dhjetorit, e cila solli një paqe të re me thirrjen e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Tani pas 30 vitesh ka ardhur koha për një angazhim tjetër që jo thjeshtë ta duam por që ta bëjmë Shqipërinë si Europa. Unë besoj se të gjithë bashkë do ia dalim që të rikthejmë shpresën dhe besimin në ringritjen shumë me të fuqishëm të vendit tone. Për këtë na ndihmon dhe nderimi dhe kujtimi i sakrificave të dëshmorëve dhe heronjve tanë.”, tha Meta.