Zyra e sekretarit të shtetit të Xhorxhias ka njoftuar se janë zbuluar rreth 2,600 vota të pa numëruara gjatë procesit të rinumërimit manual. Kjo ka ndodhur në qarkun Floyd.
Menaxheri i sistemit të votimit në Xhorxhia, Gabriel Sterling tha se 2,600 fletëvotimet, nuk ishin numëruar natën e zgjedhjeve, pasi zyrtarët e zgjedhjeve nuk i përditësuan të dhënat nga një kartelë në një makinë për skanimin e fletëvotimeve.
Sterling e përshkroi atë si një “gabim të habitshëm” dhe tha se zyra e sekretarit të shtetit është ende duke hetuar çështjen.
Floyd është i vetmi qark në Xhorxhia ku deri më tani është hasur në një gabim të rëndësishëm të numërimit. Sterling theksoi se gabimi nuk kishte buruar nga një problem i pajisjeve ose programeve por nga një individ që nuk e kishte bërë si duhet punën e tij ose të saj.
“Ata thjesht nuk i skanuan këto fletëvotime, ose karta nuk u vendos siç duhet.”– tha Sterling, citon Breitbart. Ai shtoi se si rezultat, sekretari i shtetit do të kërkonte dorëheqjen e drejtorit të zgjedhjeve të qarkut.
Xhorxhia filloi rinumërimin e votave të premten.
Sipas rezultateve jozyrtare, demokrati Joe Biden ka rreth 14.000 vota epërsi ndaj republikanit Donald Trump në Xhorxhia.
Fletëvotimet e reja shënuan rreth 800 vota në favor të Trumpit, duke forcuar më tej diferencën midis dy kandidatëve. Megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme për të ndryshuar fituesin.
Zyra e sekretarit të shtetit po kërkon që qarqet të përfundojnë rinumërimet deri të mërkurën e 18 nëntorit në mënyrë që të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve deri të premten, më 20 nëntor.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Breitbart / Përshtati në shqip Hashtag.al