Vendosni fjalën kyçe....

Rama këmbëngul në të tijën: Nuk po e akuzoj unë Bashën për kasetën, të sqarojë kush është në këtë mes


Kryeministri Edi Rama nuk heq dorë nga akuzat ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha, lidhur me hetimet për UÇK-në.

Stafi i zyrës së tij të shtypit, ka përgatitur një kronikë të përqendruar në deklaratat e kameramanit amator Milaim Bellanica që filmoi 22 vite më parë masakrën e serbëve mbi civilët në Krushë të Madhe.

Rama e fton Bashën publikisht që të sqarojë pozicionin e tij në lidhje me këtë çështje.

“Nuk jam unë që e akuzoj Lulëzim Bashën, po vetë heshtja e tij e gjatë, shmangia nga ballafaqimi me pretendimet e palëve të tjera, sharjet në vend të shpjegimeve dhe mosshpjegimet e tij, përballë fakteve dhe dëshmive nga organizata e individë krejt të besueshëm, e kanë kthyer Lulëzimin në një të akuzuar, që sa më shumë i bën bisht përballjes me akuzat, aq më i dyshimtë duket në sytë e publikut!

Në këtë mes unë kam vetëm një rol, atë që më takon: T’i kërkoj Lulëzim Bashës t’i sqarojë publikut se kush është ai në këtë mes dhe pse i’a kërkojnë atij dëshmitarët hesapin e nuk i’a kërkojnë dikujt tjetër?! Sepse Lulëzimi nuk është dokushdo dhe këtu nuk flitet as për jetën private, as për punën private, po për një çështje sa publike e me interes kombëtar, aq edhe karakteriale për drejtuesin e opozitës, i cili synon të bëhet i pari i shtëpisë sonë të përbashkët.”– thotë Rama.


Prej disa ditësh disa nga ish-liderët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, ndodhen në Gjykatën Speciale të akuzuar për krime lufte.

Paralelisht me këtë ngjarje, në Tiranë, kryeministri Rama, numri dy i PS-së, Balla dhe Top-Channel kanë lëshuar akuza ndaj PD-së dhe dyshes Berisha-Basha.

Akuzat e para kishin të bënin me miratimin e një rezolute në parlament për hetimet në Shqipëri për trafik organesh, hetime të kryera pas raportit të Dick Marty-t.

Por kjo pistë u hodh poshtë fillimisht nga eksperti i antropologjisë dhe hetuesi në çështjen e ‘Shtëpisë së Verdhë’ për trafik organesh, Jose Pablo Baraybar e më pas nga ish-kryeprokurori i EULEX-it në Kosovë, Clint Ëilliamson, të cilët deklarruan se Basha nuk kishte marrë pjesë në asnjë hetim, në asnjë ekip ndërsa punonte në UNMIK apo më pas.

Ndërkohë bazuar në akuzat e një shqiptari të Kosovës, Milaim Bellanica, Basha u akuzua se kishte zhdukur kasetën origjinale të masakrës së Krushës, të filmuar nga Bellanica gjatë luftës në Kosovës.

Mirëpo në intervista të ndryshme, dëshmitari dhe akuzuesi kyç, Bellanica, thotë gjëra të ndryshme. Ai madje ka pohuar me zë e figurë se pamjet origjinale ia ka dorëzuar Bashës, por ky i fundit i ka dhënë atij kopjen e filmimeve. Pra filmimet nuk janë mbajtur të fshehura gjithsesi.

Ndërkohë ish-deputeti socialist, Dashamir Peza, i cili në vitin 1998 ishte i vetmi shqiptar që pa nga afër një masakër të serbëve të kryer në Krushë, së bashku me grupin e BBC-së që shoqëronte si përkthyes, ka bërë dje një rrëfim mbi këtë çështje.

Ish-deputeti Peza rrëfeu se ai dhe grupi i BBC-së kishin marrë një kasetë, që tregonte masakrën e tmerrshme serbe në Krushë. Ai thotë se kaseta i është dhuruar BBC-së nga Milaim Bellanica dhe se më pas, zyra e BBC-së ia ka ofruar OKB-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *