Qeveria suedeze ka njoftuar kufizime të reja për koronavirusin, të cilat do të hyjnë në fuqi për katër javë, për të kufizuar shoqërimin e njerëzve përpara Krishtlindjeve.
Në një konferencë dixhitale të hënën, kryeministri Stefan Lofven tha se kishte pasur zhvillime shqetësuese në përhapjen e Covid-19 në Suedi dhe se duhen kufizime të reja.
Nga 24 nëntori, mbledhjet e më shumë se tetë personave do të ndalohen për një muaj. Kufiri i mëparshëm ishte 300 persona.
Lofven u bëri thirrje suedezëve të bëjnë “detyrën” e tyre dhe të marrin “përgjegjësi” në ngadalësimin e përhapjes së virusit. Ai gjithashtu u tha njerëzve që të mos merrnin pjesë në ahengje ose darka dhe të përmbaheshin nga vizitat në palestër ose kinema.
“Këto janë masa shumë ndërhyrëse që janë të pashembullta në historinë tonë, por ato janë absolutisht të nevojshme për të kufizuar infeksionin.”- tha kryeministri, citon RT.
Këtë pranverë këshillat dhe rekomandimet ishin të mjaftueshme që shumica e njerëzve të mbanin distancën dhe të anulonin planet e tyre. Tani pajtueshmëria është më e ulët.
Lofven tha se ndalimi i mbledhjeve në grupe ishte i justifikuar për shkak të rritjes së rasteve Covid-19 dhe se udhëzimet e përshkruara nga autoritetet shëndetësore nuk po merreshin më aq seriozisht nga disa njerëz. Si rezultat, Suedia duhej të kalonte nga rekomandimi i distancës sociale në ndalime.
Kryeministri përsëriti: “ne nuk besojmë në një bllokim total, ne besojmë se masat që zbatohen në total do të kenë një efekt”.
Javën e kaluar, vendi ndaloi shitjen e alkoolit pas orës 22:00.
Suedia mori një vëmendje të madhe ndërkombëtare në fillim të vitit kur zgjodhi të mos bllokonte vendin në përgjigje të valës së parë të koronavirusit, ndryshe nga shumë kombe të tjera.