Vendosni fjalën kyçe....

Dëgjoni përrallën dhe gjumë qafira


Nga Pano Soko

Mos e merrni shumë seriozisht telekomedinë. Thjesht po tallen me ne!

Nëse Rama do të donte ta luftonte vërtet Lulzim Bashën, ishte marrë me Rrugën e Kombit dhe kostot e ndërtimit të saj, që u bënë gjatë qeverisë që Basha ishte ministër.

Po Rama nuk merret dot me atë, se kur erdhi vetë e dha me konçesion rrugën dhe sot paguajmë 14.000 lek për të shkuar në Kukës.

Nëse Rama do të donte ta luftonte vërtet Bashën, ishte marrë me privatizimin e CEZ-it që u bë gjatë qeverisë ku Basha ishte ministër. Po Rama nuk merret dot me CEZ-in se i del afera e mbylljes së arbitrazhit dhe faljes së 600 milionë Eurove si shpërblim i paguar dhe detyrime të falura po të njëjtit CEZ.

Nëse Rama do të donte ta luftonte vërtet Bashën, merrej me konçesionin e skanimit që ua premtoi shqiptarëve që do ta zhbënte sapo të vinte në pushtet. Po Rama s’merret dot me skanimin, se ai jo vetëm që nuk e zhbëri konçesionin, por iu rriti dhe pagesat.

Apo ishte marrë me privatizimin e ARMO-s, po s’e bën sepse borxhi i ARMO-s shkoi nga 300 milionë Euro në 2013, në 700 milionë Euro në 2020-ën.

E sa e sa të tjera…

Po Rama nuk do ta luftojë vërtet Bashën. Është e gjitha një cirk që njerëzit të harrojnë pandeminë dhe spitalet, krizën ekonomike, inceneratorët, konçesionet, familjet që flenë në çadra etj.

Dhe trillon përralla të tilla model Babale, me Bashën që një herë na e nxjerr si Chuck Norris që desanton nga ajri dhe arreston luftëtarë të armatosur (Basha që arreston njerëz…).

Njëherë na e bën Bashën si Xhejms Bond që insinuon një intrigë ndërkombëtare me një kasetë të fshehtë që e përdor për një plan djallëzor për fundosjen e UÇK-së.

Dhe një herë na e nxjerr si Ana Frank, që shënonte çdo gjë në ditar.

Dhe të gjitha këto i ka bërë i njëjti Bashë që bëri dhe marrëveshjen e 17 Majit.

Është e gjitha një përrallë e madhe dhe e dhunshme!

Dje, në parlament u miratua buxheti ku shqiptarët do të marrin 1.miliard dollarë BORXH TË RI NË 2021 dhe askush s’e di çfarë do të bëhet me to.

U miratua buxheti, ku listës aktuale, do t’i shtohen dhe dy konçesione të reja.

Por tre TV më të mëdha, nuk kishin kohë për këtë, sepse po flisnin në prime-time për një përrallë…për të njëjtën përrallë.

Atë me Rambo, 007 dhe Ana Frank.

Domethënë mesazhi është i qartë: Lejini këto kriza e spitaleve, kriza ekonomike, 1 miliardë USD borxh të ri, 2 konçesione të reja etj.

Dëgjoni përrallën!

Dhe gjumë qafira!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *