Vendosni fjalën kyçe....

Efekti Covid / Importet e barnave arrijnë rekord në tetor, po përdoren shumë antibiotikë


Importet e barnave shënuan një rritje të ndjeshme në muajin tetor, duke arritur një rekord historik, me përjashtim të një muaji në vitin 2014.

Sipas të dhënave të INSTAT, importi i produkteve farmaceutike në tetor arriti në vlerën e 2.7 miliardë lekëve, ose 22 milionë euro. Kjo shifër është 42% më e lartë sesa mesatarja mujore e periudhës janar-shtator dhe 34% më e lartë sesa mesatarja mujore e 2019-s.

Mjekët, përfaqësuesit e depove farmaceutike dhe farmacistët, të kontaktuar nga Monitor, thanë se arsyeja kryesore e kësaj rritjeje lidhet me situatën e krijuar nga pandemia e Covid-19, ku përhapja masive e virusit që nga shtatori dhe që po vijon të kulmojë ka nxitur përdorimin e më shumë barnave.

Kërkesa më e lartë ka qenë për antibiotikë, edhe për ato më të fortat, për të cilat mjekët kanë paralajmëruar shpesh se po përdoren pa kriter. Përfaqësuesit e depove farmaceutike thanë se ka kërkesë shumë të lartë edhe për vitaminën C, madje ata po hasin dhe problem për furnizimin me këtë produkt, pasi në të gjithë botën ka një përdorim të shtuar të saj. Krahas vitaminës C, ka kërkesë të lartë edhe për vitaminën D.

Kortizonikët, antikoagulantët janë barnat e tjera për të cilat ka pasur një konsum të shtuar, të lidhura sërish me pandeminë.

Mjekët dhe farmacistët pohojnë se kërkesa për barnat e tjera, kryesisht për të sëmurët kronikë ka qenë e qëndrueshme, ndërsa rritja e lartë e importeve të tetorit është e lidhur me Covid-19.

Sipas shteteve, Italia është burimi kryesor nga vijnë barnat në vend, më 14% të totalit për muajin tetor. Importet nga ky shtet u rritën me 14%. Aktorët e tregut pohojnë se shtesa ka ardhur edhe nga vitaminat, që importohen kryesisht nga Italia.

Shteti i dytë, që ka shënuar dhe rritjen më të fortë nga të gjithë është Zvicra (11.7% e totalit). Importet nga ky shtet u rritën me 121% në tetor, në krahasim me mesataren mujore të periudhës janar-shtator. Nga ky vend vijnë kryesisht produktet për përdorim spitalor, të cilat janë dhe më të shtrenjta në vlerë.

Turqia është shteti i tretë që furnizoi tregun shqiptar me barna (10% e totalit). Aktorët e tregut pohojnë se produktet nga Turqia kanë depërtuar në treg edhe për faktin se janë më të lira.

Për 10 mujorin, importet e barnave në total janë rritur me vetëm 1.5%. Në mars- prill, pas karantinës, kompanitë farmaceutike nxituan të importonin, teksa situata ishte e pasigurt, duke krijuar edhe stoqe, çka çoi në rënien e importeve në muajt në vijim, për tu rritur sërish më pas ndjeshëm në tetor, si rrjedhojë e shtimit të kërkesës pas rritjes së rasteve të Covid-19.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *