Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Ata që do guxojnë të prekin votën, do marrin një përgjigje që s’e kanë parë as në ëndrrën më të keqe


Presidenca ka reaguar pas rrëzimit nga Komisioni i Ligjeve të dekretit të Ligjit për Gjendjen Civile.

Në një status në Facebook, zëdhënësi Blushi, shkruan se komisioni në fjalë humbi sot grimcat e fundit të etikës e profesionalizmit.

Sipas tij, synimi i komisionit ishte deformimi i listave zgjedhore dhe shtrembërimi i votës së lirë.

“Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ka shqyrtuar sot Dekretin e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, nr.11812, datë 5.11.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 130/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 10129, datë 11.5.2009, ‘Për gjendjen civile’, të ndryshuar””.

Komisioni i Ligjeve ka kohë, që shfaq shenja të humbjes së qetësisë dhe durimit, ndërsa sot nën presionin politik, humbi dhe grimcat e fundit të etikës dhe profesionalizmit, që duhet të tregojë, kur me votat e tij cakton ligjet e këtij vendi. U duk qartë që Komisioni i Ligjeve nuk donte të humbiste asnjë minutë kohë për të përmbushur qëllimin politik të Rilindjes për deformimin e listave të zgjedhësve dhe shtrembërimin e votës së lirë. Ligji, që Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend, nuk synon heqjen e gjobave për shtetasit, të cilët nuk deklarojnë banesën, por synon të krijojë hapësirë për deformimin në çdo kohë të listave të zgjedhësve dhe shpërndarjes së mandateve në çdo Qark.” – shkruan Blushi.

Më tej, zëdhënësi i Metës thekson se komisioni përveç shkeljes ligjore, i hoqi sot mundësinë e diskutimit të përfaqësuesit të Presidencës, që është vijimi i rrugës së ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dhe miratimit të Kodit Zgjedhor në 5 tetor.

“Presidenti Meta, përmes Dekretit të Tij, i rekomandoi Kuvendit të falte të gjitha gjobat e gjeneruara nga mosdeklarimi në kohë i vendbanimit të ndryshuar, duke ruajtur njëkohësisht qëndrueshmërinë e ligjit dhe detyrimin e qytetarëve për të deklaruar çdo ndryshim në kohë. Por ky rekomandim, i njëjtë me zgjidhje të ngjashme që vetë Qeveria dhe Kuvendi kanë ndërmarrë në fusha të tjera, u hodh poshtë, dhe Komisioni për Çështjet Ligjore nxitoi aq shumë, sa u hoqi të drejtën e fjalës përfaqësuesve të Presidentit të Republikës në dhënien e argumenteve ligjore të kërkuara dhe të vëna në dyshim nga relatorja e ligjit, deputetja Vasilika Hysi. Ky është qëndrim vijues i Kuvendit njëpartiak, veçanërisht pas miratimit të njëanshëm të ndryshimeve në Kushtetutë në 30 korrik dhe Kodin Zgjedhor në 5 tetor.” – vijon reagimin e tij, Blushi.

Në fund, Blushi u bën thirrje deputetëve që të reflektojnë dhe të mos e pranojnë cënimin e së drejtës së votës për qytetarët, duke lexuar me kujdes arsyet e ligjshme që ka ngritur presidenti Meta në kthimin e ligjit. Po kështu ai paralajmëron se ata që do përpiqen të prekin votën do marrin përgjigje të menjëhershme e shembullore, që nuk e ka parë as në ëndrrën e tij më të keqe.

“Presidenti i Republikës i bën thirrje deputetëve të Kuvendit njëpartiak të reflektojnë në seancë plenare dhe të mos pranojnë cenimin e së drejtës së votës të qytetarëve, por të miratojnë Dekretin.

I ftojmë edhe njëherë deputetët e Kuvendit njëpartiak, të cilët mund të mos jenë njohur me Dekretin e Presidentit, të lexojnë me shumë kujdes arsyet legjitime që ka ngritur Presidenti i Republikës për kthimin e ligjit.

https://president.al/presidenti-meta-dekreton-kthimin…/

Garantojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë se, pavarësisht manovrave të fëlliqura politike, askush nuk do mundet dot të prekë votën e lirë në referendumin e 25 prillit 2021 dhe se kushdo, i cili do marrë guximin të ndërmarrë një marrëzi të tillë, do marrë një përgjigje të menjëhershme dhe më shembullore të mundshme, që as në ëndrrën e tij më të keqe, nuk e ka parë.ka parë.” – mbyll reagimin zëdhënësi i presidentit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *