Maqedonia e Veriut edhe të enjten ka regjistruar shifra të larta të të vdekurve dhe të infektuarve me koronavirusin e ri. Ministria e Shëndetësisë në Shkup, ka njoftuar për 26 të vdekur dhe 1,198 të sëmurë me COVID-19. Viktimat janë; 8 në Shkup, 4 në Manastir, 3 në Ohër nga dy në Prilep, Tetovë, Strugë dhe Veles, kurse nga 1 janë regjistruar në Kumanovë dhe Gostivar.
Në mesin e viktimat janë edhe tre persona, dy të moshës 35 vjeçe dhe një 37 vjeç.
Sa i përket të infektuarve, në Shkup janë regjistruar 572 raste, në Manastir 92 raste ndërsa numër më i vogël në 29 qytete të tjera.
Ministria e Shëndetësisë ka raportuar edhe për 621 të shëruar, 150 prej tyre në Shkup.
Deri të enjten në Maqedoninë e Veriut janë testuar mbi 303 mijë persona dhe prej tyre me COVID-19 janë diagnostikuar 51,213 persona, nga të cilët 1.423 e kanë humbur jetën, 30,204 janë shëruar ndërsa raste aktive janë 19.586 persona.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i ka propozuar qeverisë shpalljen e gjendjes së krizës në gjithë territorin e vendit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Nëse vendimi miratohet, në përballje me pandeminë do të përfshihen edhe Armata e Maqedonisë së Veriut, ndërsa qeveria do të mund të administrojë edhe me spitalet private dhe me kapacitetet tjera për përballje sa më efikase me koronavirusin e ri që shkakton sëmundjen COVID-19.
Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se vendimi do të miratohet më së voni deri të premten.
Zaev ka thënë se gjendja e krizës nuk nënkupton edhe orë policore apo kufizimin e lëvizje së qytetarëve, por ka bërë thirrje për respektimin e masave që janë në fuqi që të mos ketë nevojë për aplikimin e kufizimeve të reja.