Vendosni fjalën kyçe....

Greqia mbyll Kapshticën, çfarë duhet të dini nëse do udhëtoni drejt vendit fqinj


Nga mëngjesi i ditës së nesërme, Greqia do mbyllë pikën kufitare të Kapshticës me Shqipërinë ndërsa do mbetet e hapur ajo e Kakavijës.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas njoftimit të qeverisë greke duke sqaruar çfarë pritet të ndodhë.

Sipas njoftimit të kësaj të fundit, përveç Kakavijës do jenë të hapura edhe pikat kufitare në Evzonoi e Promachona ndërsa ajo në Nimfea do jetë e hapur vetëm për kamionët.

Të gjithë qytetarët që duan të futen në Greqi duhet të kenë me vete tamponin negativ të kryer 72 orët e fundit ndërsa do i nënshtrohen edhe një testi të shpejtë nga autoritetet greke.

Po kështu theksohet se vendimi i palës greke vlen vetëm për kufijtë tokësorë ndërsa ai ajror vijon të mbetet i hapur.

Njoftimi

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se Qeveria greke ka njoftuar në lidhje me kufizimet e hyrjes në rrugë tokësore të udhëtarëve drejt Greqisë, përfshirë pikat kufitare me Shqipërinë. Lajmi është bërë i ditur nga Zëdhënësit Qeveritar, Stelios Petsas.

Konkretisht, duke filluar nga dita e nesërme, datë 20 nëntor 2020, ora 06:00 e mëngjesit, mbyllet pika kufitare në Kapshticë, ndërsa mbetet e hapur ajo në Kakavi. Në lidhje me kufijtë e tjerë veriorë të vendit, do të mbeten të hapura pikat kufitare në Evzonoi dhe Promachona, ndërsa në Nimfea do të hyjnë vetëm kamionat.

Më tej, qytetarët që hyjnë në Greqi, përveç paraqitjes së testit negativ PCR të kryer deri në 72 orë më parë, do të kryejnë edhe rapid test nga Njësi të Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Civile dhe Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik të Greqisë. Personat që rezultojnë negativë, mund të hyjnë në vend dhe të shkojnë në destinacionin e tyre, në bazë të dokumentit PLF që do dorëzojnë.

Ky vendim vlen vetëm për kufijtë tokësorë, të lartpërmendur, ndërkohë që kufijtë ajrore mbeten të hapur.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diasporës


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *