Një 30-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e kaluar në Serbi, pasi akuzohet se ka kërcënuar për vdekje në “Facebook” presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Lajmi u bë i ditur nga Agjencia e Informacionit të Sigurisë (BIA) në një njoftim për shtyp. BIA tha se agjentët e saj kishin punuar me Prokurorinë e Krimit të Teknologjisë së Lartë dhe policinë.
I dyshuari kishte bërë disa herë thirrje në rrjet për vrasjen e presidentit, shkruan media serbe N1.
Në një nga postimet si kishte nxjerrë një fotografi në të cilën shfaqej Vuçiçi krahas homologut malazez Milo Gjukanoviç dhe anëtarit të presidencës së Bosnjës e Hercegovinës Milorad Dodik, të cilën e shoqëron me mbishkrimin: “Këta të dy u larguan, ndërsa ty Aleksandar Vuçiç do të eliminojë snajperi. E di edhe vetë ti, ajo pikë e kuqe e cila të ndjek kur fik dritën në dhomën e gjumit.”
Gjukanoviçit dhe Dodikut i kishte vënë nga një X.
Kreu i Kuvendit të Serbisë, Ivica Dačić, dënoi kërcënimet me vdekje ndaj Presidentit Vuçiç dhe kërkoi një reagim urgjent nga autoritetet kompetente.
“Unë dënoj me forcë kërcënimet me urrejtje të drejtuara ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Në emër të organit më të lartë përfaqësues të Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë, unë kërkoj nga organet kompetente shtetërore që të reagojnë urgjentisht, të zbulojnë dhe arrestojnë një individ ose grupi që dërgon kërcënime të tilla.”, tha Daçiç në një deklaratë për Tanjug.
Ai theksoi se është e pakuptueshme dhe e papranueshme që në një kohë kur uniteti i shtetit dhe stabiliteti politik janë më të rëndësishmet për Serbinë, dikush po kërcënon me vdekje dhe dhunë këdo, dhe mbi të gjitha Presidentin e vendit.