Vendosni fjalën kyçe....

Silva Caka: Më 21 nëntor kemi votim online për herë të parë


Kryetarja e KQZ-së së LSI-së, Silva Caka ka folur sot mbi zgjedhjet që do të mbahen të shtunën e 21 nëntorit në këtë forcë politike.

Caka thotë se për herë të parë në vendin tonë, do të aplikohet votimi online. Kjo do të bëhet përmes një aplikacioni, të prezantuar edhe më herët nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Ky aplikacion do të jetë në dispozicion të të gjithë anëtarëve me kartë anëtarësie, që mund të votojnë përmes smartfonit apo tabletit android.

“Jemi sot për të njoftuar të gjithë anëtarët dhe të gjithë qytetarët shqiptarë për procesin e zgjedhjeve brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili do të mbahet ditën e shtunë më 21 nëntor, duke filluar nga ora 09:00.

Lëvizja Socialiste për Integrim, në çdo proces zgjedhor ka qenë avantgardë, duke qenë e para që prezantoi parimin e shënjtë një anëtar – një votë, duke qenë e para që zbatoi kuotën gjinore në masën 50-50, duke qenë e para që aplikoi votimin dhe numërimin  elektronik dhe duke qenë e para dhe ende e vetmja forcë që fokuson të gjithë vëmendjen e saj tek të rinjtë.

Edhe më 21 nëntor, Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë sërish e para forcë politike, e cila do të aplikojë votimin online. Ne sot iu bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të bëhen pjesë e këtij procesi në mënyrën që ata dëshirojnë.

Përveç votimit elektronik, në çdo bashki do të kemi të hapura qendrat e votimit, në mënyrë që çdo anëtar të zgjedhë përfaqësuesit e tij në Koventën Kombëtare Zgjedhore, që do të mbahet më 5 dhjetor.”– thotë Caka.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *