Një shtetas shqiptar është vrarë në Ekuador mëngjesin e së premtes. Mediat në shtetin e Amerikës së Jugut e kanë identifikuar viktimën me emrin Adriatik Tresa.
Vrasja ka ndodhur në qytetin e Guayaquil i cili njihet si qendër e përplasjeve të grupeve kriminale të transportit të drogës.
Vrasja ndodhi në orën 05:00 me orën lokale. Ekzekutorët kishin kërcënuar rojet dhe më pas kishin hyrë në vilën ku jetonte shqiptari.
Sipas medieve vendase, Prokurori Walter Jaramillo tha se vrasësit ishin veshur si policë dhe se viktima ishte qëlluar me të paktën 6 plumba.
Sipas të njëjtave burime, viktima kishte qenë me precedentë penalë. Ai kishte qenë në burg deri vitin e kaluar i akuzuar për vrasjen e një shqiptari tjetër. Sipas hetuesve po verifikohet aktiviteti i tij pasi dyshohet e ai ishte përfshirë në trafikun e drogës.