Ndahet nga jeta një nga figurat kryesore të artit dhe kulturës fierake, aktori i madh i teatrit dhe estradës së Fierit, Fatmir Xhelili.
Prej disa ditësh aktori 69-vjeçar ndodhej në Spitalin Infektiv në gjendje të rëndë, pasi ishte i prekur nga Covid-19. Ai vuante edhe nhga sëmundje bashkëshoqëruese.
Lajmi i hidhur për ndarjen e tij nga jeta u bë nga zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi.
“Të dashur miqtë e mi, Me lotë burri në sy ju njoftoj se një nga simbolet e artit dhe kulturës fierake, miku im dhe i të gjithëve, vëllai i Mirës, shoqes time të klasës, vëllai i Met Xhelilit shokut tim të 8 vjeçares, aktori i madh i teatrit dhe estradës së Fierit tonë, Fatmir Xhelili, humbi jetën sot për shkak të këtij Covidi të mallkuar dhe një patologjie tjetër të mëparshme!
Është një dhimbje shpirti dhe një vuajtje e vërtetë kur qytetit tonë i shuhen njerëz si Fatmiri që i kanë dhënë ndër vite gaz e kuptimplotshmëri jetës tonë, shpirtit dhe zemrës së qytetit!”, shkruan Petro Koçi.
Për 46 vjet rresht si aktor në teatrin “Bylis” të Fierit, Xhelili ka interpretuar përkrah emrave të mëdhenj si Fuat Boçi, Luftar Paja, Hajrie Rondo etj. Fatmir Xhelili e ka nisur rrugën e artit si aktor amator.
Ai punonte si elektricist në uzinën e naftës në Ballsh, ndërsa pas pune angazhohej në teatër.
Gjatë karrierës së tij ka luajtur në rreth 180 role në dramë dhe komedi, ku është vlerësuar edhe me 4 çmime të para si aktori më i mirë.
Disa nga komeditë që ai ka interpretuar rolet kryesore janë “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa” e Chehovit, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri i katit 15” etj. Gjithashtu edhe në dramat “Pazari”, “Vite të paharruara”, “Fqinjët”, disa prej të cilave me regji të Serafin Fankos, Dhimitër Orgockës, Gëzim Kamës, etj.