Botuesi i gazetës TemA, Mero Baze i ka kushtuar një shkrim denoncimit të kreu të opozitës Lulzim Basha se qeveria fsheh numrin e viktimave nga Covid-19.
Baze në shkrimin e tij le të kuptohet se Basha nuk mund të marrë pushtetin duke numëruar arkivoet por duke marrë vota.
Shkrimi i plotë:
Le t’i japim për një moment të drejtë fantazisë makabre të Lulzim Bashës dhe të supozojmë se Qeveria fsheh numrin e të vdekurve nga COVID. Me këtë rast, meqë ai ka problem me aritmetikën, po ja lëmë sa të dojë shifrën që fsheh Qeveria. E zëmë dy herë, apo tre herë më shumë (kujdes, kjo është tabelë shumëzimi).
Pra të besojmë Lulzim Bashën se në Shqipëri nuk vdesin nga 6 deri 9 vetë në ditë, por nga 18 në 27 vetë në ditë.
Ky është momenti që mua më pushon logjika, se çfarë fiton Qeveria që të fshehë vdekjet dhe çfarë fitore politike është e opozitës, nëse vdekjet janë fshehur dhe ajo i zbuloi.
Fshehja e vdekjeve është një proces ligjor dhe administrativ. Një i vdekur ka një procedurë ligjore që lë gjurmë në përcjelljen e tij në botën tjetër. Që nga shkresa e parë e konstatimit të vdekjes, e deri në funeral, ka një gjurmë të verifikueshme shkresash, që shoqërojnë të vdekurin.
Duhet të urdhërosh mjekun ligjor të mos regjistrojë shkakun e vdekjes, pastaj me radhë gjithë zinxhirin e administrimit të këtij procesi, deri tek funerali.
Duhet të korruptosh familjarët të mos tregojnë që i afërmi vdiq nga COVID-19, se dëmtohet Edi Rama. Pastaj duhet të bësh kujdes dhe në lagje apo fshat, të mos merret vesh.
Dhe akoma më shumë, duket sikur gjithë Shqipëria është e mbushur me besnikë të Edi Ramës, që jetën e japin, por vdekjet i nuk tregojnë nga inati i Lulzim Bashës.
Kjo tragji-komedi mund t’i shkojë në mendje vetëm Lulzim Bashës, i cili deri dje ka thënë se Edi Rama po tenton të terrorizojë shqiptarët me vdekjet nga COVID, dhe nga ana tjetër thotë që fsheh vdekjet.
Prej dje ka ndryshuar strategji dhe thotë se deklarimi i numrit të lartë të vdekjeve nuk i terrorizon shqiptarët, por i bën të ndërgjegjshëm.
Tani nëse kërkon të terrorizojë shqiptarët, Edi Rama po të ketë mundësi, i shton vdekjet dhe regjistron me COVID çdo të vdekur, dhe ata të aksidenteve rrugore. Por nuk e bën dot, se nuk të lejon sistemi të shpikësh shkaqe vdekjeje, dhe nuk ka qëllim të terrorizojë shqiptarët.
Por ajo që nuk kuptoj fare, është se çfarë do ndryshonte në të ardhmen politike të Lulzim Bashës, sikur gjithë shqiptarët që vdesin çdo ditë në Shqipëri nga mosha, nga aksidentet, nga sëmundjet e tjera, të pashërueshme, t’i shënonim të vdekur nga COVID.
Nuk di pse Lulzim Bashës i është mbushur mendja që nëse kap kuotën e numrit të vdekjeve të shqiptarëve, e kap dhe pushtetin. Në fakt, duhet të kapësh numrin e votave të marrësh pushtetin, jo numrin e arkivoleve. Kështu vetëm sa i humb ato.
Dhe akoma më shumë, nuk e kuptoj pse zgjedh kauza që lidhen me numërim, se nuk e ka pikë të fortë aritmetikën.