Teksa lexoi deklaratën që kishte lajmëruar një ditë më parë, kryeministri Rama dha edhe disa mesazhe të reja, që nuk ishin dëgjuar më parë prej tij.
Pasi bëri përmbledhjen e fatkeqësive që goditën vendin, tërmeti dhe pandemia, ai bëri falënderimet e rastit.
Këtu përfshiu popullin, mjekët, ushtarët, policinë dhe ministren Manastirliu e menjëherë pas kësaj, kreu i qeverisë nisi artikulimin e mesazheve të reja që kishte përgatitur.
1 – Opozita, pakicë e zhurmshme
Rama shkruan se arsyeja e daljes së tij me një deklaratë janë akuzat e sharjet e pakicës së zhurmshme, duke nënkuptuar këtu kreun e opozitës, Basha.
“Teksa shumica e popullit bën më të mirën e vet në këto kushte kaq sfiduese, një pjesë tjetër, një pakicë e zhurmshme, qendron mënjanë, bën sehir, shan, akuzon, gjuan përditë me gurë në drejtim të kujt rri pa gjumë, shërben, sakrifikon cdo ditë në frontin e kësaj lufte të pambarimtë nervash, që nga ata që u shërbejnë në kokë të sëmurëve, për të shpëtuar sa më shumë jetë nga kthetrat e këtij virusi të pabesë deri tek ata që ndihmojnë këtë luftë nga cdo pozicion ku kontribuojnë.”
2 – Apologjia e vetes
Në pjesën vijuese të deklaratës, Rama flet për veten e tij. Ndërsa pohon se nuk ka dalë për t’u ankuar për veten e tij, baltën e pështymat që i hidhen ai thekson se ndryshe nga sa thuhet, ai i pranon kritikat ndaj tij. Ndërsa për sa i përket arrogancë, kreu i qeverisë thekson se ajo është në fakt shprehje e pasionit të tij për punën e detyrën që mban.
“Hiqmëni mua nga kjo radhë e gjatë njerëzish që po bëjnë të pamundurën. Nuk jam këtu për t’u ankuar për baltën dhe për pështymat që marr përditë prej pakicës së zhurmshme. As nuk do të ankohem ndonjëherë për veten, sepse mua personalisht të sharat e panumërta, besojeni ose jo, më bëjnë thjesht më të fortë dhe realisht më japin më shumë energji për t’i udhëhequr betejat tona në çdo fushë. Thonë që nuk i dua kritikat dhe mendoj se kam gjithmonë të drejtë. Është thjesht e pavërtetë. Shumëkush ma quan arrogancë, nuk e di, ndoshta. Por ndoshta duhet ta shohin edhe si shprehje të pasionit të madh që më mban në këtë detyrë pa pushim e pa orar, pasionit të madh për Shqipërinë që më është besuar dhe Shqipërinë që dua për gjithë fëmijët tanë.”
3 – Pamjet nga morgu një inskenim fotografik
Lidhur me fotot e djeshme të publikuara në disa media dhe rrjetet sociale, Rama tha se ato janë inskenim forografik i opozitës duke e quajtur këtë gjë jo demokratike dhe jo njerëzore.
“Patjetër që edhe në mes të një lufte si kjo mund të kemi opinione të ndryshme për shumëçka, por ne nuk mund të ndahemi politikisht edhe për numrin e të vdekurve, apo fatkopërisht të bëjmë politikë deri dhe me inskenime fotografike nga morgu i spitalit. Kjo nuk është më demokratike, por është haptazi jo njerëzore.”
4 – PD e LSI duan të rrëzojnë qeverinë
Kryeministri Rama vijoi deklaratën e tij duke thënë se Shqipëria nuk mund të jetë rasti i vetëm në Europë ku presidenti e opozita kanë bërë aleancë me Covid-19 për të rrëzuar qeverinë. Ndërsa i cilësoi të rreme akuzat e Bashës se qeveria ka fshehur numrat e viktimave nga Covid-19.
“Por ne nuk mund të jemi rasti unikal në Europë, ku qeveria lufton orë e çast kundër COVID-it për të mbrojtur çdo jetë shqiptare dhe opozita, bashkë me Presidentin bëjnë aleancë me COVID-in, për të rrëzuar qeverinë, duke nxitur panikun e ushqyer ankthin, pasigurinë, frikën, në jetën e përditshme të shqiptarëve dhe duke shpërndarë fotografi klandestine nga morgu i spitalit. Kjo nuk është as demokratike dhe as shqiptare, por është haptazi jo njerëzore. Ashtu siç nuk është as demokratike, as shqiotare, pod haptazi jo njerëzore, që në kulmin e kësaj lufte, kur vala e dytë po trondit mbarë botën, me rritjen e rrufeshme të numrit të të infektuarve, të bësh politikë me lajme të rreme, deri edhe për të vdekurit.”
5 – Paratë e pista nga Gjiri i Lalëzit në kuti këpucësh
Në vijim të deklaratës së tij, Rama nuk ngurroi të fshikullojë presidentin Meta teksa tha se personat që humbin jetën nga Covid-19 në spitale nuk janë kuti këpucësh me lekë të zeza që nisen nga Gjiri i Lalëzit drejt burimeve mediatike. Ndërsa nuk harroi të ironizojë Bashën se vikimat nuk janë vota që humbin gjatë numërimit në zgjedhjet në PD dhe as video e masakrës së Krushës.
“Po pse, çfarë janë ata që humbasin jetën në spitale COVID? Vota që humbasin gjatë numërimit kur bëhen zgjedhjet në Partinë Demokratike? Apo kuti këpucësh me lekë të zeza, që nisen nga Gjiri i Lalzit drejt burimeve mediatike? Po pse, kush janë mjekët e vijës së zjarrit në këtë luftë për jetë a vdekje, anëtarët e komitetit Nshani, që u mblodhën për të zhdukur nga lista e deputetëve djalin e Fahriut? Apo këshilltarët e Presidencës, që shpërndajnë si zogjtë e korbit nëpër botë lajme të rreme për Shqipërinë? Apo mos vallë të vdekurit në spital mund të treten në ajër, si ata të shkretët në videon e humbur të masakrës së Krushës për të cilën i akuzuari nga dëshmitarët di vetëm të shajë e të akuzojë dëshmitarët? Apo ndoshta viktimat e COVID mund të fshihen? Siç u fshinë serverat e videove të sigurisë të Kryeministrisë, të nesërmen e 21 janarit?”
6 – Prokuroria e di vetë detyrën
Teksa i afrohej fundit të deklaratës, kreu i qeverisë ceku edhe organin e akuzës. Ai tha se prokuroria e di vetë detyrën e saj dhe se askush nuk do e pengojë nëse do e shohë të arsyeshme të përfshihet në çështjen në fjalë.
“Prokuroria e di vetë detyrën e saj. Nëse do ta shohë të arsyeshme të përfshihet në këtë lemeri politike, për të zbardhur një marrëzi kriminale të kësaj madhësie, askush nuk mund e nuk do ta pengojë, por ky përshkallëzim ekstrem i luftës për pushtet në kulmin e një lufte për shëndetin e shqiptarëve, duhet me patjetër të mbahet shënim nga një gjykatës. Nga gjykatësi suprem i Shqipërisë, nga populli shqiptar, si një lëndim i patolerueshëm i karakterit tonë si vend, si popull, si shqiptarë.”
7 – Akuzat e opozitës mund të nxisin sulme fizike ndaj mjekëve
Në fund të fjalës së lexuar prej tij, Rama, aludoi se akuzat e opozitës dhe lufta e saj për pushtet mund të nxisë dhunën ndaj mjekëve e infermierëve nga familjarët që kanë humbur të afërmit nga Covid-19.
“Virusi nuk na ndan as në parti, as në krahina, as në shtresa e as në familje dhe ky episod i shëmtuar i luftës për pushtet nuk duhet harruar kurrsesi nga askush, asnjë shqiptar që mendon me kokën e tij, si një akt përçarjeje mes nesh, shqiptarëve, në luftën kundër këtij armiku të padukshëm, si një akt që nxit urrejtjen ndaj mjekëve tanë mbi të cilët është hedhur hija e një dyshimi monstruoz, e cila mund të nxisë ndaj tyre, deri dhe larg qoftë, dhunën e individëve të dëshpëruar nga humbja e të afërmve, si një akt turpërues për karakterin tonë si vend, si popull, si qytetarë shqiptarë dhe si thjesht qenie njerëzore.”