Avokatët e fushatës së presidentit Trump thanë të shtunën se do të paraqesin një apel në gjykatën e Rrethit të Tretë, pasi një gjykatës federal hodhi poshtë një proces gjyqësor për të sfiduar rezultatet e zgjedhjeve në Pensilvani.
Avokatet e Trump, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani dhe Jenna Ellis thanë në një deklaratë:
“Vendimi i sotëm rezulton të na ndihmojë në strategjinë tonë për të shkuar me shpejtësi në Gjykatën e Lartë të SHBA. Megjithëse nuk pajtohemi plotësisht me këtë mendim, ne i jemi mirënjohës gjykatësit të caktuar nga Obama për marrjen e shpejtë të këtij vendimi të pritur.”
Padia argumentoi se garancia ligjore e ‘mbrojtjes së barabartë sipas ligjit’ u shkel pasi qarqet ku votuesit ishin kryesisht demokratë morën qasje të ndryshme, krahasuar me qarqet ku votuesit ishin kryesisht republikanë, lidhur me ndihmën ndaj votuesve me probleme me fletët e tyre të votimit.
Ellis dhe Giuliani argumentuan se provat e tyre treguan se 682,777 vota në Pensilvani u hodhën në mënyrë të paligjshme, pasi punonjësit e zgjedhjeve mohuan të drejtën e partisë Republikane për rishikim të pavarur dhe thanë se dëshironin të paraqisnin provat e tyre në gjykatë.