Para dy ditësh aktori Bes Kallaku bëri një festë të madhe me rastin e ditëlindjes së tij të 35-të, ku nuk munguan personazhe të njohur jo vetëm nga arti por dhe nga politika.
Mirëpo kjo festë është organizuar në kundërshtim me rregullat e vendosura për pandeminë nga qeveria dhe policia ka vendosur të marrë masa.
Përmes një njoftimi, policia bën me dije se ka vënë 1 milionë lekë gjobë për pronarin e lokalit ku u bë festa e ditëlindjes së aktorit, ndërsa paralajmërohet se do vendosen gjoba dhe për të pranishmit të cilët janë identifikuar përmes pamjeve që kanë qarkulluar në rrjet.
Po ashtu janë pezulluar nga detyra 6 punonjës policie, të cilët akuzohen se nuk kanë kryer detyrën për të bërë një kontroll të territorit për të evidentuar shkelje të tilla.
View this post on Instagram
NJOFIMI I POLICISË
Në lidhje me aktivitetin e zhvilluar më datë 20.11.2020 në një lokal në fshatin Laknas, Bashkia Kamëz, ku shtetasi B.K, kishte organizuar një ceremoni ditëlindje dhe kishte ftuar rreth 30 persona, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë menjëherë mori masa në zbatim të Aktit Normativ, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Nga ana e Policisë së Tiranës, u mor masa administrative 1.000.000 lekë për administratorin e lokalit shtetasin F.U., në bazë të aktit normativ nr 3 datë 15.03.2020.
Gjithashtu në bazë të pamjeve filmike janë identifikuar të gjithë personat që ishin pjesmarrës në aktivitetin e zhvilluar dhe do ndëshkohen me masë administrative për shkelje të masave kufizuese anticovid-19.
Njëkohësisht Drejtori i DVP Tiranë ka pezulluar nga detyra 6 punonjës Policie për moskryerje të kontrollit të territorit dhe ndaj tyre Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë .
Drejtoria Vendore e Polcisë Tiranë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve dhe qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid duke bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qyetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital cilindo administrator lokali apo qytetar që nuk i respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për shëndetin e qytetarëve.