Vendosni fjalën kyçe....

Gazetari holandez futet i paftuar në video-konferencën sekrete të ministrave të mbrojtjes të BE-së (VIDEO)


Një gazetar nga Holanda ka arritur të futet në një video-konferencë konfidenciale të ministrave të mbrojtjes të BE-së.

Daniel Verlaan i cili punon për “RTL Nieuws” iu bashkua takimit pasi ministrja holandeze e mbrojtjes kishte publikuar aksidentalisht disa nga të dhënat e hyrjes në takimin online.

Gazetari në mënyrë të befasishme, filloi të përshëndeste sapo e kuptoi që ishte lejuar të futej brenda.

“E dini që keni hyrë në një konferencë sekrete?”- tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, citon BBC.

“Po, po. Më vjen keq. Unë jam një gazetar nga Hollanda. Më vjen keq që ndërpreva konferencën tuaj.”- iu përgjigj Verlaan zyrtarëve që ia kishin nisur të qeshurave. “Unë do të largohem nga këtu”.

“E dini që është vepër penale, hë? Më mirë të dilni shpejt përpara se të vijë policia.”– i thotë Borrel gazetarit.

Daniel Verlaan arriti të hynte në takim pasi ministrja holandeze e Mbrojtjes Ank Bijleveld, kishte publikuar në Twitter një foto që përmbante në një cep adresën e hyrjes dhe një pjesë të kodit PIN.

“Pas një numri përpjekjesh, RTL Nieuws arriti të hamendësonte kodin PIN të konsultës sekrete, sepse pesë nga gjashtë shifrat e kodit pin ishin të dukshme në foto.”- tha vetë media.

Ndërsa shumë kanë parë vetëm anën qesharake të këtij incidenti, kjo ka ngritur pyetje serioze mbi sigurinë e takimeve konfidenciale të BE-së.

Një zëdhënës i Këshillit të Punëve të Jashtme i tha “RTL”-së: “Një shkelje e tillë është e paligjshme dhe do t’u raportohet autoriteteve”. Mbledhja u mbyll për shkak të kësaj ndërprerje.

Një zëdhënës i Ministrisë Hollandeze të Mbrojtjes tha se publikimi i detajeve të hyrjes kishte qenë një “gabim budallesk“. Ai shton: “Kjo tregon sa të kujdesshëm duhet të jeni kur nxirrni një fotografi të një takimi”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *